Vendosni fjalën kyçe....

“Qen bir qeni!” – Arrestohen 3 vëllezër për dhunën ndaj gjyqtarit në Vlorë pas seancës gjyqësore


Tre vëllezër janë arrestuar në Vlorë, pasi ditën e djeshme kanë ushtruar dhunë ndaj një gjyqtari gjatë një seance gjyqësore.

Personat e arrestuar janë: Myslim Myslimi 60 vjeç, Fatosh Myslimi 62 vjeç dhe Elmaz Myslimi 64 vjeç.

Të tre ata kundërshtuan vendimin e dhënë nga gjyqtari Arqile Basho ditën e djeshme pas seancës e ndoqën atë në ambientet e Gjykatës së Vlorës.

‘BoldNews’ ka publikuar dje pamjet e momentit kur gjyqtari dha vendimin e tij dhe doli nga salla e gjyqit, por tre vëllezërit e ndoqën nga pas në ambientet e Gjykatës.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale ‘Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit’, kryer në bashkëpunim, shtetasit M. M., 60 vjeç, F. M., 62 vjeç dhe E. M., 64 vjeç (vëllezër), të tre banues në Vlorë, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin, në ambientet e brendshme të Gjykatës, kanë kundërshtuar me dhunë, shtetasin A. B., 63 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Vlorë.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Një prej familjarëve tha në sallën e gjyqit: “Ti e ke dhënë për herë të dytë këtë, ky gjykatës jep vendime të gabuara. Ky është ai Arqileja, mos ik e shit gjyqin. Sa lek ke marrë, o qen bir qeni”.

Pasi gjyqtari largohet, vëllezërit e ndjekin nga pas, ndërsa njëri prej tyre e vendos pas një muri dhe i heq pelerinën.

Gjyqtari dëgjohet duke thënë: “Qetësohuni! Ruani qetësinë!”