Po mbahet në këto momente mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i kësaj force politike Lulzim Basha foli për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, ku Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama fituan mandatin e tretë qeverisës.
Basha tha se procesi i 25 Prillit nuk kishte lidhje me demokracinë.
Ai shprehet se ka besim se mund t’i ndryshojnë gjërat në këtë vend, pa u bërë më të korruptuar se Edi Rama.
“Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur.
Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë.
Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë.
Ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama.”- tha Basha.