Vendosni fjalën kyçe....

“3 minuta e ndajnë turpin nga dinjiteti” – Rama futet ta pastrojë vetë fushën e futbollit në Vlorë, por për katastrofën mjedisore në Durrës s’u dëgjua një herë (VIDEO)


Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga një fushë futbolli në Vlorë, ku shihet duke mbledhur mbeturinat e hedhura.

Rama u bën thirrje atyre që shkojnë të lozin që të paktën të mos i hedhin mbeturinat aty, dhe punonjësve të pastrimit që t’a mirëmbajnë përpara se njerëzit që kalojnë rrugës ta shohin. Sipas tij vetëm 3 minuta e ndajnë dinjitetin nga turpi.

“Vetëm 3 minuta e ndajnë turpin nga jo nderi por nga dinjiteti më i zakonshëm që duhet të ketë një qytet, një komunitet por edhe një bashki. Në radhë të parë ata që vijnë dhe luajnë këtu bëjnë mirë që t’i mbledhin, të mos t’i hedhin të paktën. Ata që duhet ta mirëmbajnë këtë bëjnë mirë që të vijnë t’i pastrojnë përapra se sat ë lindë dielli dhe njerëzit të kalojnë anash, shqiptarë dhe të huaj, dhe të shohin këtë pamje që është një turp.” – shprehet Rama, duke i dërguar kështu mesazhe në distancë dhe kryebashkiakut vlonjat Dritan Leli.

Por kujtojmë se qyteti ku ai ka zgjedhur të mbajë mandatin e deputetit për legjislaturën e ardhshme, Durrësi po përballet me një katastrofë mjedisore.

Pamjet kaotike të mbetjeve që po shoqërojnë Durrësin në këtë sezon veror i kemi parë çdo ditë në kronikat e televizioneve, por Rama një herë nuk ka folur për këtë çështje.

Qeveria në mbledhjen e fundit të saj miratoi një vendim ku pranon se do të mbështesë financiarisht bashkitë pjesë e qarkut Durrës sapo të dërgohet pranë saj kërkesa.

Prej muajsh kazanët në disa vendgrumbullime janë mbushur ku rreth 12 kamionë me rreth 10 ton mbeturina nuk kishin se ku të zbrazeshin. Nga frika e sëmundjeve infektive, banorët në disa zona nisën djegien e tyre vetë, duke mos pritur arritjen e një dakordësie mes bashkisë dhe qeverisë dhe inceneratorit të Sharrës.