Nga Irena Beqiraj
You either die or you triumph and there is no alternative”. Ose vdes ose triumfon, nuk ka tjetër alternativë.
Kjo është mantra e pushtetit, e cila vjen që nga kohët e Perandorive, ku lideri edhe pse Perandor e dinte mirë çfarë pritej nga ai – Triumfi.
Asgjë nuk ka ndryshuar në luftën politike sot. Ose triumfon ose vdes politikisht.
Të triumfosh politikisht nuk mjafton të denoncosh, nuk mjafton të çirresh që ti po mbron interesin kombëtar, nuk duhet vetëm të tregosh sa i korruptuar apo sa keq po menaxhon kundërshtari. Mbi të gjitha duhet të tregosh se je në gjendje të zëvendësosh qeverisjen aktuale me një alternativë më të mirë, me ide më të mira, udhëheqje më të mirë, komunikim më të mirë, demokraci më funksionale.
Në 8 vitet e fundit, loja politike që luhet në qytet, ka vetëm një humbës të madh edhe për më keq një të mundur konsekutiv, ai është lideri i opozitës. Në greminën e humbjes po tërheq të djathtën, e cila nën drejtimin e tij nuk ofron asnjë alternativë të besueshme. Mjafton të kujtojmë që për 4 muaj, në Çadrën e Bulevardit demokratët u premtonin shqiptarëve Republikën e re.
Republikën që do ta ndërtonin me listën e kryetarit, i cili me mendjelehtësi nuk ngurroi të përqeshte jo vetëm demokratët, por gjithë shqiptarët, duke përfshirë në listën e Republikës “më premtuese të të gjitha kohërave” edhe zonjën e “Kërpëratës së Investimeve”.
“Lufta e të djathtës” deri tani është një përpjekje e dëshpëruar për të bërë një lider të vetëvrarë politikisht kryeministër, i cili ngrin dhe shkrin në zgjedhjet partiake, duke minuar demokracinë brenda partisë. Një lider që shquhet për paqëndrueshmërinë e tij taktike dhe strategjike, duke endur opozitën rrugëve në një luftë të humbur që në ditën e parë.
Lideri i opozitës nuk ka asnjë kapacitet të qëndrojë në këmbë para popullit të vet, para vijave te kuqe që vendos, edhe për këtë arsye lehtësisht përulet në gjunjë në kërkesën e parë të ndërkombëtarëve. Vijat e tij te kuqe nuk është në gjendje t’i mbrojë as me shpirt, as me trup, e as me moral, ato u u ngjajne vijave te vizatimeve naive të një 5 vjeçari.
Përpjekja për të ngritur e mbajtur në këmbë “një të vdekur qe të hajë pulë të pjekur” është një shaka e marrë.
Lideri i të djathtës ka “vdekur” politikisht, nuk triumfon dot më. Demokratët duhet ta nderonin atë siç nderoheshin dikur faraonët! Duhej balsamosur kujtimi i tij në librin e historisë së të djathtës, e bashkë me të alternativa e tij, e cila ka vdekur me kohë.
Një alternativë të re duhet të ofronte të mbillte apo ushqente opozita. Ky është progresi që koha , populli pret nga e djathta, e cila njësoj si populli thellë e di që është e pamundur të ngrihet një i vdekur të hajë pulë të pjekur”.