Vendosni fjalën kyçe....

Bizneset në Vlorë mbyllen kundër orës policore: Ishim më të lirë vjet që kishte më shumë raste me COVID sesa sot


Pronarët e lokaleve në zonën e “Lungomares” në Vlorë kanë mbyllur sot bizneset e tyre, në shenjë proteste kundër orës policore që ndalon muzikën që në orën 22:00.

Një prej 90 pronarëve në Vlorë është edhe Ervin Sota, i cili në një prononcim për “Report TV”, tha se kanë patur më shumë liri sezonin e kaluar kur rastet me Covid-19 ishin më të larta, se sa në këtë sezon veror. Sota akuzoi Policinë se i ka provokuar vazhdimisht këtë vit.

“Mbrëmë ne vendosëm Himnin Kombëtar dhe ndodhi ajo situatë e pakëndshme me policinë e Shtetit dhe kemi vendosur bashkë që lokalet t’i mbajmë mbyllur në shenjë proteste. Vlora nuk është një qytet me orare mortore, por qytet turistik, ka bërë maksimumin për turizmin, ku biznesmenët sakrifikojnë dhe mundohen të kualifikojnë stafet e tyre. Ne kemi vendosur 24 orë blacout dhe në mbrëmje të gjithë bizneset do të nxjerrin. Hapur në Vlorë kanë mbetur vetëm disa biznese me administratorë Tirane. Vjet kishte më shumë raste COVID dhe ne ishte shumë më të lirë, dhe nuk ishim kurrë të provokuar nga Policia, këtë vit ka provokime nga Policia. Në Lungomare ka njerëz, ndërsa në biznese qenka e ndaluar të rrijë klienti në tavolinë. Muzika nuk sjellë COVID, ne duam të punojmë brenda rregullave.”- thotë ai.

Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar, u shoqëruan në komisariat  tre pronarë lokalesh në Lungomare: Klodian Xhafa, Seldi Xhafa dhe Edlira Tahiraj. Kjo pasi ata protestuan kundër ndalimit të muzikës në orën 22:00.

Xhafa u gjobit edhe me shumën prej 1 milionë lekësh, për shkak se nuk fiku muzikën pas orës së caktuar duke vendosur të luhej Himni i Flamurit.