Vendosni fjalën kyçe....

Nesër Kurban Bajrami, kreu i KMSH-së mesazh urimi: Kjo është festë e pajtimit


Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë në prag të festës së Kurban Bajramit.

Kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu ka publikuar një videomesazh ku shprehet se Kurban Bajrami është pajtim dhe u bëri apel besimtarëve për falje dhe pajtim me njëri-tjetrin:”Kurbani është pajtim, pajtohuni dhe faleni njëri-tjetrin.”

Po ashtu Spahiu u kujton besimtarëve që nesër kushdo që ka mundësi, ta ndajë kurbanin e tij me njerëzit në nevojë.

MESAZHI I KMSH-së

Bismilahi-Rrahamini-Rrahim
Me emër të Zotit Mëshiruesit-Mëshirëbëres.
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve.
Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.)
Të dashur qytetarë, nesër, më datë 20 korrik 2021, është festa e Kurban Bajramit.
Allahu i Madhërishëm në suren Kevther në Kuran thotë:
“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”
Ndërsa në suren En’nam na kujton:
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve!”

Të dashur besimtarë, edhe pak orë na ndajnë nga festa.
Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame.
Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atëkohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës heroike Haxhires.
Kurbani na dëshmon se, sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punë të pëlqyeshme te Zoti, nëse duam të përfitojmë mëshirën dhe faljen e të Gjithëmëshirshmit absolut, Zotit të gjithësisë.
“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti (xh.sh.) në Kuranin Famëlartë.
Ky Bajram na jep mesazhin që, për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit të Madhërishëm, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria.
Therni Kurbanin nesër, kushdo që ka mundësi, dhe ndajeni atë me njerëzit në nevojë. Kjo vërtetë është një punë e pëlqyeshme të Zoti.
Kurbani është mesazh paqe, përhapeni atë.
Kurbani është gëzim për fëmijët, gëzojini ata me dhurata.
Kurbani është solidaritet, jini solidarë në bajram e në çdo ditë.
Kurbani është pajtim, pajtohuni dhe faleni njëri-tjetrin.
E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona.
E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendit tonë dhe mbarë njerëzimin.
Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!
Amin!