Vendosni fjalën kyçe....

Plagosi në mars një person, kapet 44-vjeçari i rrezikshëm i shpallur në kërkim ndërkombëtar


Policia ka vënë në pranga një 44-vjeçar, i cili ishte i shpallur në kërkim për plagosje me dashje. I arrestuari është Erjon (Sefer) Markol (Markola).

Ky person rezulton të ketë qenë i dënuar më parë në Shqipëri dhe në Gjermani, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. 

“Kapet dhe ndalohet një 44-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve kundër jetës, brenda dhe jashtë vendit. 

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar:  E.(S). M.(M.), 44 vjeç, i dënuar më parë në Shqipëri dhe në Gjermani, për veprën penale ‘Plagosja e rëndë me dashje’.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Markola rezulton se ka plagosur në mars të vitit 2021 me thikë një shtetas me inicialet A. Xh.. Ngjarja ka ndodhur më 31 mars, në bulevardin “Migjeni” në kryeqytet.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i kishte caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë.