Vendosni fjalën kyçe....

Rrëmbimi dhe plagosja e Klajdi Sulos në Patos, arrestohet pas 1 viti një nga të dyshuarit


Policia ka vënë në pranga 29-vjeçarin e dyshuar për një plagosje të ndodhur një vit më parë në Patos.

Mësohet se i arrestuari është Emiljano Selmanaj, 29 vjeç. Ai ishte shpallur në kërkim prej një viti nga policia për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Selmanaj akuzohet se bashkë me 4 persona të tjerë më 17 gusht të vitit të kaluar në afërsi të stadiumit në Patos, kanë tentuar ta rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri Klajdi Sulon, i cili ka mbetur i plagosur.

“Kapet dhe ndalohet 29-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në ngjarjen e ndodhur në 17.08.2020, në Patos, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. S.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 17.08.2020, në afërsi të stadiumit në Patos, ku pesë shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar ta rrëmbejnë me forcë dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri shtetasin K. S., i cili ka mbetur i plagosur, si rezultat i veprimeve hetimore dhe informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një tjetër personi të dyshuar si bashkautor, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. S., 29 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për veprën penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike’.”- thuhet në njoftimin e Policisë.