Qeveria e Kosovës vendosi që të pezullojë vendimin për tiketën 5 euro për regjistrim të automjeteve. Ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës nënshkroi marrëveshje me kompaninë “Auto Control Kosova”, për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve, kostoja e së cilës është 4 euro e 99 centë.
Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që të pezullojë vendimin për tiketën 5 euro për regjistrim të automjeteve.
Lajmin e bëri të ditur, zv.ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.
“Sot kam marrë vendim që të pezulloj marrëveshjen për tiketa ngjitëse deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje. Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra-tjetrën”, ka shkruar Durmishi.
Ai ka theksuar se “unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmonizuar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD”. Durmishi theksoi se vendimin përfundimtar do ta marrin pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë.
Në seancën plenare që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, fjalën e ka marrë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se qytetarët nuk do të paguajnë nga 5 euro për tiketa ngjitëse në automjete.
“Sapo është marrë vendimi që të pezullohet dhe do ta shqyrtojmë në hollësi mënyrën sesi ka ardhur deri te ky vendim…Prej interpretimeve ligjore, edhe interpretimet nga auditori, deri te momenti i nënshkrimit…Diçka që mund t’i sigurojë është që qytetarët nuk do t’i paguajnë 5 euro”, tha Aliu para deputetëve.
Për vendosjen e tiketës ngjitëse ka pasur kundërshtime nga partitë opozitare.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kishte thënë se qytetarët duhet të protestojnë kundër këtij vendimi.
“Qeveria e Kosovës ka vendosur një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja. Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbrazur xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit. Qytetarë të nderuar, PROTESTONI”, ka thënë Haradinaj në postimin e bërë në Facebook.
Ditë më parë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nënshkroi marrëveshje me kompaninë “Auto Control Kosova”, për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve, kostoja e së cilës është 4 euro e 99 centë. Kohëzgjatja e marrëveshjes ishte për një periudhë prej pesë vitesh, dhe ish paraparë të nisë zbatimi nga 1 shtatori i këtij viti.
Partia Socialdemokrate dorëzoi kallëzim penal kundër zv.ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi për keqpërdorim të pozitës zyrtare për nënshkrimin e kësaj marrëveshjes që ata thonin se është e dëmshme.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor