12 persona janë arrestuar në mbarë vendin 24 orët e fundit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Ata akuzohen për vepra të ndryshme penale si kultivim kanabisi, dhunë në familje, kundërshtim të policisë e vjedhje me dhunë.
Po kështu pronari i një lokali në Durrës është gjobitur me 1 milion lekë të reja pasi është kapur në thyerje të orës policore lidhur me pandeminë.
Njoftimi i policisë së Mallakastrës
“Mallakastër/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër kapën dhe ndaluan shtetasit e shpallur në kërkim G. H., 62 vjeç dhe J. H., 26 vjeç, banues në Panahor, Mallakastër (babë e bir), pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim. Këta shtetas kanë tentuar të kultivojnë bimë narkotike në fshatin Panahor, Mallakastër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë shtetasin B. M., 56 vjeç, banues në Mallakastër, si edhe shpallën në kërkim shtetasin F. M., 27 vjeç, pasi në afërsi të banesës së tyre kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë goditur me grushte punonjësit e Policisë, të cilët kishin shkuar në ndihmë të punonjësve të AKU-së.”
Njoftimi i policsë së Lushnjës
Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 50 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
“Divjakë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë arrestuan në flagrancë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Dëmtime të tjera me dashje” të kryera në bashkëpunim, shtetasit P. B., 19 vjeç dhe A. D., 38 vjeç, banues në Divjakë, pasi i kanë vjedhur me dhunë dy varëse floriri, duke ia këputur nga qafa shtetasit A. T., 21 vjeç, banues në Sarandë.”
Njoftimi i policisë së Fierit
“Fier/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, shtetasin A. B., 40 vjeç, banues në Fier, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër-mbrojtje.”
“Nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP u arrestua në flagrancë shtetasi L. Y., 37 vjeç, banues në Varibob, Fier, pasi në aksin rrugor Levan-Tepelenë, duke drejtuar pa leje drejtimi motomjetin tip “Honday”, është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar vetë dhe pasagjeri që ishte në motomjet, shtetasi Q. L., 25 vjeç, banues në Varibob, Fier.”
Njoftimi i policisë së Gjirokastrës
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër ndaluan shtetasin E. Z., 32 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të mitur të bashkëjetueses së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.”
“Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, në bazë të informacioneve të siguruara, në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivimin e bimëve narkotike, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin R. R., 58 vjeç, banues në fshatin Lazarat, Gjirokastër, pasi ka tentuar të kultivojë bimë narkotike në një ambient në pronësi të tij.”
Njoftimi i policisë së Durrësit
“Durrës – U konstatua duke ushtruar aktivitet me muzikë, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative pronari i subjektit.
Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente. Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë proceduar penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”, shtetasin G. T., 27 vjeç, banues në Durrës, pronar i një subjekti në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, pasi u konstatua duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë në subjektin e tij, pas orarit të përcaktuar në aktin normativ për zhvillimin e aktiviteteve. Gjithashtu, për këtë subjekt, shërbimet e Policisë kanë vendosur masën administrative 1.000.000 lekë.”
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”, shtetasin P. A., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e OSHEE-së, në banesës e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin V. L., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr. 14, Durrës, duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.”