Çfarë do ndodhë me shkollat tani që ka hyrë në Shqipëri variant “Delta” i koronavirusit? Kjo është një nga pyetjet që mund të ketë secili prej nesh në këtë situatë të re. A do të nisin ato si zakonisht?
Përgjigja nga ata që janë pjesë e komitetit ku merren vendimet është që do veprohet në bazë të situatës. Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se situata nuk është më e rrezikuar se kur nuk kishte nisur vaksinimi.
“Nëse do të vazhdojmë me një situatë të tillë si sot, nuk ka asnjë arsye që shkollat të mos fillojnë. Nuk është njësoj situata si më parë, sepse më parë arsimtarët i kishim të pavaksinuar. Tashmë arsimtarët janë vaksinuar dhe shumica e prindërve apo gjyshërve të fëmijëve janë vaksinuar megjithatë, do të shikojmë si do të jetë situata epidemiologjike dhe në varësi të saj do të merret edhe vendimi për shkollat.”, u shpreh Rakacolli.