Vendosni fjalën kyçe....

Pink do paguajë gjobën për bikinit që refuzoi ekipi i Norvegjisë


Ylli i popit amerikan Pink është vetofruar të paguajë gjobat e vëna ekipit norvegjez të hendbollit në plazh të grave, pasi ato vendosën të vishnin pantallona të shkurtra si kolegët e tyre meshkuj në vend të të bikinit. Ekipi u gjobit me 1,500 euro për “veshje të papërshtatshme” në Kampionatin Evropian të Hendbollit në Plazh javën e kaluar, shkruan “BBC”.

“Unë jam shumë krenare për ekipin norvegjez të hendbollit në plazh, për protestën ndaj rregullave seksiste në lidhje me uniformën e tyre,” shkroi të dielën këngëtarja.

“Mirë për ju, zonja,” shtoi ajo. “Do të jem e lumtur të paguaj gjobat tuaja për ju. Vazhdoni kështu.”, shkroi Pink.

Federata Norvegjeze e Hendbollit njoftoi javën e kaluar se ishte përgatitur të paguante gjobat, duke shtuar se duhet të ishte “një zgjedhje e lirë brenda një kornize të standardizuar”.

Por ekipi shprehu mirënjohjen e tij ndaj Pinkut. “Uau! Faleminderit shumë për mbështetjen,” shkruajnë vajzat.

Federata Evropiane e Hendbollit gjobiti ekipin e Norvegjisë për zgjedhjen në ndeshjen e tyre të fundit për medaljen e bronzit kundër Spanjës në Bullgari sepse pantallonat e shkurtra të lojtarëve nuk ishin “sipas rregullave të uniformës së atletëve”.

Megjithatë, ministri i vendit për Kulturën dhe Sportin, Abid Raja e përshkroi vendimin si “plotësisht qesharak”.

Ish-kampionia e tenisit Billie Jean King ishte midis atyre që vunë re se si ekipet e burrave veshin pantallona të shkurtra. “Seksualizimi i grave atlete duhet të ndalet,” shkroi ajo në “Twitter” javën e kaluar.

Klubi i hendbollit i Universitetit Bath tha se gjobat ishin “absolutisht jashtë logjike”, duke vënë në dukje se si rregullat për bikini mund t’i ndalnin gratë të merreshin me këtë sport.

Kapitenia Emma Steggles tha: “Do të ndihesha jashtëzakonisht jokomode nëse do vishja bikini për të luajtur një sport që e dua”.

Një situatë e ngjashme u krijua edhe në lojrat olimpike “Tokio 2020”, ku gjimnastet gjermane veshën në garat e tyre kompletet që mbulonin krejtësisht këmbët.