Vendosni fjalën kyçe....

Roja i kampit nazist del para gjykatës gjermane në moshën 100-vjeçare


Një ish-roje 100-vjeçar i një kampi të përqendrimit nazist do të dalë para gjykatës në Gjermani në muajin tetor.

Ai akuzohet për bashkëpunim në vrasjen e 3.518 personave, njoftuan të hënën (2 gusht) prokurorët publikë.

Zyra e prokurorit në Neurupin ngriti akuzat në muajin shkurt. Një vlerësim mjekësor që mori kjo zyrë konfirmon se burri është “i aftë për të dalë në gjyq” pavarësisht moshës së tij, raporton REL.

Sipas prokurorëve, seancat dëgjimore do të kufizohen në dy orë e gjysmë në ditë.

I dyshuari akuzohet se “me vetëdije dhe me dëshirë” ka ndihmuar në vrasjen e të burgosurve në kampin Sachsenhausen në Oranienburg, në veri të Berlinit, midis viteve 1942 dhe 1945.

Ai akuzohet veçanërisht për bashkëpunim në “ekzekutimin e të burgosurve sovjetikë të luftës më 1942” dhe vrasjen e të burgosurve “duke përdorur gazin helmues Zyklon B”.

Thomas Walther, një avokat që përfaqëson një numër viktimash në këtë çështje, i tha gazetës gjermane Welt am Sonntag se “presin që të vendoset drejtësia”.

Holokausti është vrasja masive e rreth 6 milionë hebrenjve, vrasje kjo e organizuar nga partia naziste e liderit gjerman, Adolf Hitler, nga viti 1933 deri më 1945. Gati 7 nga çdo 10 hebrenj që ka jetuar në Evropë është vrarë gjatë kësaj kohe.

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara.