Vendosni fjalën kyçe....

KLSH-ja pengohet të auditojë Emergjenca Civile, Shehu : I bëj thirrje Çakos të kthehet në punë


Një grup auditësh nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë bllokuar për të kryer kontroll në Emergjencat Civile.

Kreu i KLSH, Arben Shehu ka konfirmuar për Top Channel situatën e pazakontë të ndodhur në emergjencat civile ku grupi nga autoriteti më i lartë i shtetit për auditimin e një institucioni shtetëror nuk lejohet që të ushtrojë detyrën.

Shehu i ka bërë thirrje në reagimin e tij për TCH drejtorit të Emergjencave Civile që të rikthehet në detyrë dhe të mos pengojë audituesit.

Anila Hoxha komunikoi me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehun, i cili e konfirmoi situatën e pazakontë. Për Top Channel, Shehu tha: “I bëj thirrje publikisht drejtorit të emergjencave civile të kthehet urgjent në detyrë për të zbatuar detyrimet që ka sipas ligjit, me situatën kur disa zona të vendit janë pushtuar nga zjarret. E dyta të mos bëhet pengesë për auditimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Është e vërtetë që është komunikuar se nuk mund të jepet asnjë informacion derisa të kthehet drejtori i emergjencave”.

Prej disa ditësh situata me zjarret duket jashtë kontrollit, ndërsa emergjencat civile janë vënë nën akuzë për shkak se nuk po veprojnë në kohë apo me mjetet e duhura për këtë situatë.

Një akuzë e cila përforcohet edhe nga KLSH-ja e cila nuk po lejohet të kontrollojë këtë institucion nëse ka bërë detyrën si duhet, ka vepruar në kohë apo ka marrë masat e duhura që të kontrollojë territorin./ Hashtag.al