Një ish anëtar i Bandës së Cërrikut, i dënuar me 20 vite burg për disa vepra penale është ekstraduar në Shqipëri.
Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Greqia drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Bashkim Buzani, 50 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të vendimit të vitit 2005, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila e ka dënuar me 20 vjet burg, për veprat penale “Organizatë kriminale” në formën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale, “Vjedhja me armë” dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim.
Ky shtetas, më datë 04.04.2005, është arrestuar në Greqi, për llogari të autoriteteve greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe Gjykatë a Apelit Selanik, me vendimin e datës 12.10.2005, e ka dënuar me 16 vjet burg.
Pas kryerje së dënimit për llogari të autoriteteve të drejtësisë greke u bë ekstradimi i tij drejt vendit tonë.