Pesë gratë e riatdhesuara nga Siria pak ditë më parë janë marrë në pyetje nga Antiterrori për të mësuar më shumë detaje për rrugët, mjetet, personat që i kanë futur në këtë situatë me ISIS-in por nuk kanë mundur të marrin asnjë hollësi prej tyre.
Shkak është gjendja e rënduar psikologjike e tyre raporton “ABC News”.
Nga qendra rehabilituese në Durrës ku u çuan pasi prekën tokën shqiptare, të pesta gratë u kanë kërkuar agjentëve të Anti-terrorit në Policinë e Shtetit që dëshmia e tyre të merret në një moment të dytë, sapo gjendja e tyre të rikuperohet. Të dielën u riatdhesuan Ruzhdije Balliu, Lavdie Kaca, Brunilda Koçollari, Emanuela Vladi, dhe Klotilda Zani, e njohur ndryshe me mbiemrin Cami. Dëshmitë e tyre do të jenë të vlefshme edhe për prokurorët e SPAK, të cilët do t’u duhet të verifikojnë rrugën që kanë ndjekur ato nga vendi ynë drejt Sirisë.
Ky verifikim do të bëhet mbi bazën e një procedimi penal të nisur më herët nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të identifikuar se kush kanë qenë rekrutuesit dhe financuesit që kanë ndihmuar këta persona për të kaluar nga Shqipëria drejt Turqisë, e me destinacion final Sirinë, për rekrutuesit financuesit dhe personat që i kanë ndihmuar këto shtetase që të kalojnë nga Shqipëria përmes itenerarit nga Turqia me destinacion final Sirinë, për të luftuar më pas me ISIS-in.
Bashkë me 5 gratë, nga Tirana, Librazhdi e Dibra, u riatdhesuan dhe 14 fëmijët e tyre. Tashmë ata po trajtohen me psikologë e punonjës socialë për t’u integruar në vendin tonë. Ndërsa më herët, në Tetor të vitit të shkuar u riatdhesuan nga kampet siriane një 11-vjeçarsi dhe Floresha Rasha me 3 fëmijët e saj.