Vendosni fjalën kyçe....

CNN shkarkon tre punonjës pasi shkuan në zyrë të pavaksinuar


Rrjeti amerikan i lajmeve CNN ka shkarkuar tre punonjës për hyrje në  zyrë pa u vaksinuar kundër Covid, thonë mediat amerikane.

Është një nga shembujt e parë të një firme amerikane që pushon nga puna stafin për shkelje të rregullit të vaksinimit të kompanisë.

Është e ligjshme në SHBA që firmat të kërkojnë që punonjësit të vaksinohen.

Shumë firma të mëdha – përfshirë Facebook dhe Google – thonë se do të kërkojnë që punonjësit të vaksinohen kur zyrat të rihapen plotësisht në muajt në vazhdim.

Shefi i CNN Jeff Zucker përmendi shkarkimin në një memo të kompanisë të dërguar të enjten, të parë nga disa media amerikane.

Vaksinimi është i detyrueshëm për këdo që raporton në terren, punon me ndonjë punonjës tjetër ose shkon në një zyrë, citohet të ketë thënë ai në memo.

“Më lejoni të jem i qartë – ne kemi një politikë të tolerancës zero për këtë,” citohet të ketë thënë Zucker, kryetar i lajmeve dhe sporteve për WarnerMedia.

Në maj, qeveria amerikane tha se ishte e ligjshme që punëdhënësit të kërkonin që personeli që merrte pjesë në vendin e punës të vaksinohej kundër Covid-19.

Linjat ajrore kryesore Delta dhe United Airlines po kërkojnë që punonjësit e rinj të tregojnë dëshmi të vaksinimit, ndërsa banka e investimeve Goldman Sachs po kërkon që punonjësit e saj të zbulojnë statusin e tyre të vaksinimit, edhe pse nuk kërkon që personeli të vaksinohet, raporton AP.

Presidenti Biden ka urdhëruar dy milionë punonjës federalë të tregojnë prova të vaksinimit ose t’i nënshtrohen testimit të detyrueshëm dhe mbajtjes së maskave.