Vendosni fjalën kyçe....

Ku është zhdukur kryeministri Rama?!


Ndërsa vendi ka disa ditë nën pushtetin e flakëve dhe ka shënuar dy viktima deri tani, kreu i qeverisë është ‘zhdukur’ nga harta. Një rast që zor se lë t’i ikë nga duart në ndodhi të ngjashme, siç kanë qenë fatkeqësi të tjera, kësaj here Rama është fshehur.

Në Facebook-un e tij që gëlon nga postimet e përditshme, figura më e njohur është ministri i Mbrojtjes, Peleshi, i cili raporton nga terreni situatën me zjarret në vend.

Nuk mungojnë në Facebook edhe postimet mbi punët e qeverisë, pamje piktoreske nga qytetet, ndonjë takim me sportistet nga Kosova që fituan medalje ari në Olimpiadë, mbërritjen e dozave të vaksinave anti-covid e karabinave të e pallateve që po ndërtohen në Shijak,Fushë Krujë e Laç, video që shfaqen kohë pas kohe.

Por nuk ka asnjë postim të Ramës në terren teksa zjarret shkrumbojnë vendin prej ditësh. Madje nuk ka asnjë pamje as të ministrit të Brendshëm, Çuçi, i cili është fotografuar duke shijuar pushimet apo të zv.kryeministrit Braçe, i cili ka qenë tejet aktiv për ngjarjet e fundit si psh. transferimi i Lionel Mesit nga Barcelona te PSG-ja.

Ndërsa shefi i Emergjencave Civile, i pyetur nga gazetarët për mungesën e tij në terren tha se kishte qenë në një eveniment familjar.

Duhet thënë se Emergjencat Civile janë kapur të papërgatitura nga flakët që u shfaqën në disa territore të vendit njëkohësisht. Vendi nuk ka asnjë avion specifik për të ndihmuar në shuarjen e flakëve ndërsa ushtarët e punonjësit e emergjencave është dashur të luftojnë me flakët duket përdorur mjete rrethanore si degët e shkurreve apo sëpata, kazma e lopata.

Pak ditë më parë, Kosova solli në Shqipëri trupa ushtarake e zjarrfikëse për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në zonën e Kukësit. Ato u vizituan edhe nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Sveçla.

Në vendin fqinj, Greqi, kryeministri Mitsotakis kërkoi ndjesë ndaj publikut për zjarret në vend e reagimin e institucioneve publike ndaj tyre. Mitsotakis vizitoi disa nga zonat e prekura nga flakët dhe premtoi një ndihmë prej 500 milionë eurosh për të dëmtuarit nga zjarret si dhe u zotua të çojë para drejtësisë të gjithë përgjegjësit për reagimin jo të duhur ndaj fatkeqësisë.

Deri tani nuk ka asnjë të dhënë se ku është ‘zhdukur’ kryeministri Rama e nuk duket në horizont ndonjë ndihmë financiare për të prekurit nga dëmet e flakëve. Por me shuarjen e tyre, nuk do ishte çudi që kryeministri të rishfaqej si shpëtimtar për të bërë bilancin. /Hashtag.al