Vendosni fjalën kyçe....

Kanadaja do e bëjë të detyrueshme vaksinimin kundër Covid-19 për administratën, udhëtarët me avion e tren


Qeveria e Kanadasë së shpejti do të kërkojë që të gjithë nëpunësit publikë të vaksinohen kundër Covid-19, thanë dy ministra, ndërsa vaksinimet e detyrueshme do bëhen edhe për udhëtarët me avion dhe tren.

Duke folur gjatë një konference për shtyp të premten, ministri i Transportit Omar Alghabra njoftoi planet për të zgjeruar shumë fushën e vaksinimeve të detyrueshme në Kanada. Në javët e ardhshme, të gjithë punonjësve të qeverisë dhe njerëzve që punojnë në industri të caktuara që i nënshtrohen rregulloreve federale-të tilla si linjat ajrore dhe hekurudhat-do t’u kërkohet të vaksinohen kundër Covid-19.

Edhe pse Kanadaja mburret me një nga normat më të larta të vaksinimit në botë – mbi 80% e qytetarëve të kualifikuar kanë marrë të paktën një dozë – vendi ende ka shumë për të bërë, argumentoi ministri, duke thënë se bërja e vaksinimeve të detyrueshme për sektorin publik do të ndihmojë përshpejtimin e procesit të vaksinimit.

Vaksinimi kundër Covid-19 do të bëhet një kusht i detyrueshëm për të hyrë në vendet e tyre të punës, paralajmëroi ministri i Çështjeve Ndërqeveritare Dominic LeBlanc gjatë së njëjtës konferencë shtypi, dhe punonjësit federalë që refuzojnë të bëjnë vaksinën rrezikojnë të humbin punën e tyre.