Nga Ardian Vehbiu
Takimi i ambasadores së SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, me shkrimtarin Ismail Kadare, është lajmëruar në media dhe në rrjete i shoqëruar me këtë fotografi.
Fotografia është e shëmtuar dhe nuk i bën nder as Kadaresë, as ambasadores Kim, as dinjitetit tonë si shtet. Unë e kam dhënë fotografinë të pjesshme, sepse NUK dua të bëhem palë në përhapjen e saj – kush të dojë, le ta gjejë të plotë.
Çdokush nga ne, edhe më fotozheniku, mund të kapet në pamje të pahijshme, ose që nuk do të donte t’i fiksonte në foto. Një fotograf i mirë – nuk po them profesionist – dhe një gazetar i mirë kujdeset për subjektin e vet dhe, mes shumë fotove, zgjedh atë që i shërben më mirë synimit të lajmit.
Por fotoja që ka shoqëruar lajmin për takimin është aq E KEQE, sa të bën të mendosh se këta fotografë ose nuk dinë se ç’bëjnë, ose duan qëllimisht të poshtërojnë subjektet e tyre.
Ky fotograf duket sikur është shkolluar për paparazzo…
Për çfarë ka dhënë dhe për moshën që ka, Kadareja duhet respektuar në maksimum edhe nga mediat. Unë nuk di kush kujdeset për marrëdhëniet e tij me publikun, por di të them që, kush e ka menaxhuar këtë takim, ka dështuar keq.
Dhe nuk është hera e parë që shohim – e theksoj, SHOHIM, se po flas për informacionin vizual – pamje jo dinjitoze të një personaliteti ndoshta më të madhit të gjallë sot mes shqiptarëve, në mediat.
Në këto pamje që përcillen mungon respekti, mungon afeksioni, mungon profesionalizmi.
Mesazhi që të vjen nga pamje të tilla është se ajo kulturë, që kish për pikë referimi veprën e Kadaresë, ka marrë rrokullimën. Por edhe sikur – kultura që po vjen, dhe që themelohet mbi amatorizma dhe marifete të tilla, nuk e meriton ta zëvendësojë.
Nuk mund të them veçse TURP.