Vendosni fjalën kyçe....

Eksportet me rritje të fortë edhe në korrik, tejkalojnë me 16% nivelin e parakrizës për 7-mujorin


Eksportet kanë vijuar rritjen edhe në korrik, duke rikuperuar humbjet e vitit pandemik dhe duke rezultuar më të larta edhe se në 2019-n, kur vendi ishte në normalitet. Kjo tendencë ka reflektuar rritjen e fortë të dy grupeve, “materiale ndërtimi e metale” dhe “minerale lëndë djegëse e energji”, të favorizuara nga konjuktuara ndërkombëtare.

Eksportet e ushqimeve dhe ato të makinerive e pajisjeve kanë vijuar zgjerimin e qëndrueshëm, ndërsa tekstilet dhe këpucët mbeten të vetmet që janë më poshtë se niveli i 2019-n.

INSTAT raportoi se për 7 mujorin e parë 2021, eksportet arritën në 208 miliardë lekë, me një rritje prej 39 % në raport me janar-korrik 2020. Ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, rritja është rreth 16%.

Në korrik, eksportet ishin 32 miliardë lekë, me rritje 30.8.% në raport me të njëjtin muaj të 2020-s dhe 15.6% më të larta në raport me korrikun 2019.

Tekstilet e këpucët nuk përmirësohen

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me 32% të totalit), kanë vuajtur më shuëm se gjithë grupet e tjera pasojat e karantinave të Europës, që u rikthyen dhe në muajt e parë të vitit 2021. Ndonëse me rritje prej 14% për 7 mujorin në raport me janar-korrik 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 10.3% më të ulëta në raport me 7 mujorin normal të 2019-s.

Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Megjithatë rihapja graduale e Europës ka rritur shpresat për sektorin, ndonëse ekziston frika se mund të ketë mbyllje të reja pas përhapjes së variantit Delta.

Në korrik, eksportet e këtij grupi ishin 14% më të ulëta se në krahasim me korrikun 2019 dhe pothuajse në të njëjtin nivel sa në të njëjtin muaj të 2020-s.

Rritje e fortë e materialeve të ndërtimit e metaleve

Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i tretë më i madh eksportues në vend (me 20% të totalit) vijuan ecurinë pozitive edhe në korrik. Për 7 mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me 20.6% ndërsa janë 47.3% më të larta edhe se janar-qershor 2019. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje.

Rritje e fortë edhe për lëndët djegëse

E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, Lëndët djegëse e energjinë, që është rritur me 18,3% për 7 mujorin në raport me 2020-n, dhe 43.2 në krahasim me të njëjtën periudhë 2019. Eksportet drejt Spanjës, që është tregu kryesor i kompanisë prodhuese të naftës, Bankers Petroleum, u rrit me 101.8% në korrik, të ndihmuara dhe nga shtrenjtimi i naftës në bursa dhe gjallërimi i kërkesës pas heqjes graduale të kufizimeve.

Në rritje dhe grupet e tjera

Grupi i ushqime pije dhe duhan ka vijuar tendencën pozitive të nisur prej tre vitesh, duke u zgjeruar me 15% për 7 mujorin. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza.

Me ecuri pozitive ishin dhe makineritë pajisjet e pjesët e këmbimit, shitjet e të cilit u rritën me 16,4% në raport me 7 mujorin 2020 dhe 37.8 % në raport me të njëjtën periudhë 2019. Ky sektor ka tërhequr vitet e fundit investime në fabrikat që montojnë kryesisht sisteme elektrike për automjete.

Deficiti tregtar zgjerohet me 21,4%

Në shtatëmujorin e parë 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 209 mld lekë, duke u rritur me 39,2%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 426 mld lekë, duke u rritur me 29,8%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 217 mld lekë, duke u rritur me 21,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020, importet në muajin Korrik 2021 u rritën me 22,9%. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 39 mld lekë, duke u rritur me 22,6%, krahasuar me Korrik 2020 dhe me 22,2%, në krahasim me Qershor 2021. Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020, defiçiti tregtar në muajin Korrik 2021 u rrit me 23,9%.

Zgjerohet më tej tregtia me Italinë

Në muajin Korrik 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2020 janë: italia (15,1 %), Kosova (17,9 %) dhe Spanjë (44,1 %). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe është: Kina (15,7 %).

Gjatë këtij shtatëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë janë: italia (29,0 %), Kosova (56,8 %) dhe Spanja (40,3 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Mbretëria e Bashkuar (7,8 %) dhe Ukraina (30,5 %).

Në muajin Korrik 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Korrik 2020 janë: italia (16,5 %), Turqia (14,2 %) dhe Kina (16,8 %). Ndërsa vendet me të cilët importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kroacia (11,8 %), Zvicra (27,4) dhe Austria (12,2 %).

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë janë: italia (34,4 %), Turqia (48,3 %) dhe Kina (31,0 %). Ndërsa vendet me të cilët importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Rusia (8,6 %), Zvicra (25,5) dhe Ukraina (16,8 %).

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor