Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Zjarri te Sarajet për t’i hapur rrugën ndërtimit të kullave që pastrojnë paratë e krimit


Presidenti Meta ka denoncuar djegien e godinës monument kulture ‘Sarajet’ në Tiranë.

Kreu i shtetit shkruan se zjarri është i qëllimshëm dhe se akti kriminal është përdor rëndom vitet e fundit për t’i hapur udhën ndërtimit të kullave, të cilat i quan ‘lavatriçe të pastrimit të parave’.

“Tirana u gdhi sot me një tjetër monument kulture, “Sarajet”, gati të shkrumbuar nga zjarrvënia e qëllimshme. Ky akt kriminal dhe i dënueshëm është përdorur rëndom vitet e fundit, për t’i hapur udhën ndërtimit të kullave, “lavatriçeve të pastrimit të parave” në kryeqytet, siç denoncojnë edhe organizatat prestigjioze ndërkombëtare. Viktimë e “piromanëve” ra pak ditë më parë edhe kurora e gjelbër në “Pallatin e Brigadave”, ku gjithashtu është planifikuar të ndërtohet një kompleks kullash.” – shkruan Meta.

Preisdenti shton më tej se babëzie e shfrenuar e betonit ka shkatërruar shumë monumente historike, kulturore e tradicionale në Tiranë ndërsa ato pak që kanë mbetur rrezikohen të zhduken.  

Ai thekson se barbaria ndaj identitetit kombëtar duhet të ndëshkohet me gjithë ashpërsinë e ligjit. Në fund Meta u bëj thirrje prokurorisë e institucioneve të tjera ligjzbatuese që të hetojnë me transparencë e të nxjerrin para drejtësisë, autorët, fyemëzuesit e përfituesit e kësaj veprimtarie kriminale.

“Babëzia e shfrenuar e betonit në Tiranë ka shkatërruar shumë monumente historike, tradicionale, kulturore dhe objekte të rëndësisë së veçantë, ndërkohë edhe ato pak të mbetura rrezikohen të zhduken përgjithmonë. Gjenocidi kulturor, barbaria ndaj identitetit tonë kombëtar dhe kushdo që luan me zjarrin për përfitim personal në dëm të interesit publik, meriton të ndëshkohet me të gjithë ashpërsinë e ligjit. Nxis organin e Prokurorisë, SPAK si dhe të gjitha institucionet ligjzbatuese përgjegjëse të marrin çdo masë efektive për hetimin me transparencë dhe nxjerrjen para drejtësisë penale të autorëve, frymëzuesve dhe përfituesve të kësaj veprimtarie kriminale.” – mbyll reagimin Meta.