Nga Hashtag.al
Nisur nga shqetësimi publik dhe reagimet që shkaktoi djegia e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë “Sarajet”, me qëllim shmangien e spekulimeve mediatike dhe ruajtjen e interesit publik në kushtet kur bashkësia e pronarëve privatë të kësaj prone mund të jetë e përçarë ose e kompromentuar dhe në kushtet kur bashkia e Tiranës është në lojë me lobe të fuqishme ndërtimi, vendosja e debatit në shina ligjore dhe të interesit publik është me rëndësi të dorës së parë.
Në këto kushte Hashtag.al me qëllim orientimin sa më korrekt të debatit synon që nëpërmjet 5 pikave të përcjellë shqetësimin mbi atë që po ndodh.
1.“Sarajet” janë Monument Kulture i kategorisë së parë, për pasojë është Ministria e Kulturës ajo që ka tagrin të ndërtojë marrëdhënien me pronarët për ruajtjen apo rikonstruksionin e këtij monumenti kulture.
2.Bashkia nuk ka asnjë tagër për të ruajtur apo konservuar monumentet e kulturës, atëherë pse kërkon ta shtetëzojë?
3.Precedenti i Teatrit Kombëtar shënoi provën e parë se shtetëzimet nga Bashkia, janë me risk për tjetërsimin e pasurive publike ose private në funksion të presionit qe ushtron kapitali disa miliona eurosh i ndertuesëve.
4.Si ka mundësi që një pronë që gjendet në koordinatën më të lakmuar të Tiranës, nuk zhvillohet në bashkërendim me pronarët, për të pritur turistë, delegacione, etj?
5.A duhet qe shtetëzimi i pronave private me vlerë kulturore të garantohet me kushtin absolut për mos ndryshimin e destinacionit? Madje nëse ndryshon destinacioni, kontrata e shtetëzimit të bëhet automatikisht NUL dhe pronarët të kenë në dorë të kërkojnë menjëherë kthimin e pronës.
Ndoshta është momenti që opozita të bëjë propozime ligjore që kufizojnë skemën e Bashkisë së Tiranës, e cila po përdor shtetëzimin si instrument te agresionit të dollarëve që vijnë nga ofertat për kulla.