Vendosni fjalën kyçe....

Qëllohet me gjashtë plumba në mesnatë 24-vjeçari në Berat, ishte kthyer nga Londra për pushime


Një i ri është qëlluar më gjashtë plumba mesnatën e djeshme në Berat. I plagosuri është 24-vjeçari Tajar Fetiu ka qenë duke ecur në këmbë në rrugicën e banesës së tij kur është qëlluar.

Fillimisht ai është dërguar në spitalin e Beratit e më pas është transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku është në gjendje të rëndë.

I riu jetonte prej vitesh në Londër ndërsa familja e tij jetonte në Tiranë. Ai kishte shkuar në Berat për të mbikëqyrur banesën e vjetër të familjes.

Sipas policisë, autori i plagosjes së 24-vjeçarit është identifikuar por emri i tij nuk jepet për arsye hetimore.

Njoftimi

“Berat/Informacion paraprak

Në spitalin e Beratit ka shkuar shtetasi T.F., 24 vjeç për ndihmë mjekësore, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta në lagjen Deshmorët e Kombit, pranë Xhamisë. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.  Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar, ku për arsye hetimi nuk mund të bëjmë me dije identitetin e tij. Vijon puna intensive për kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e e plotë të rrethanave të ngjarjes.”