Nga Kastriot Çipi
Nuk e di për ju, por mua ky koncerti i sotëm i Bregoviçit dhe bandës së tij të dasmave dhe funeraleve, po më duket i dehur. Nuk e di a është i dehur Bregoviçi, por koncerti është totalisht i dehur. Nuk ka asnjë lidhje me muzikën pop-rock të bandës së tij të dikurshme, Bijelo Dugme. Nuk ka asnjë lidhje me kolonat zanore të filmave të Kusturicës “Koha e ciganëve” apo “Underground”. Nuk ka asnjë lidhje as me koncertin e Selanikut “Engjëjt e Ballkanit”, ku këndoi edhe Ardit Gjebrea, Hysni Zela dhe grupi Projekt Jon. Madje as me koncertin e para ca viteve në Tiranë nuk ka asnjë lidhje.
Këngët kanë të gjitha të njëjtin orkestrim, intonacion dhe interpretim pa ngjyrë, nga dy këngëtaret amatore. Duken të gjitha si i njëjti avaz i përsëritur pafundësisht, në një mejhane ku publiku nuk dëgjon asgjë, përveç ritmit, edhe ai i njëjti, nga fillimi në fund.
Unë ngul këmbë se ky nuk është niveli i muzikës së Bregoviçit, por niveli i publikut të koncertit të sotëm. Ve bast se asnjëri prej tyre nuk e ka idenë se për çfarë flas në paragrafin e parë. Përndryshe, në këtë orë, sheshi do të ishte boshatisur. Birra shijon më mirë tek Pazari i Vjetër.
PS: Për ilustrim, dëgjoni muzikën në këto dy skena nga filmi “Koha e ciganëve”. Në skenën e parë, Perhani dhe Danira, vëlla e motër, po ndahen me gjyshen, që i ka rritur jetimë. Po braktisin lagjen rome të Sarajevës, Perhani për të emigruar në Itali, ndërsa Danira për të operuar këmbën në Slloveni.
Në skenën e dytë, Perhani ritakon Danirën, pasi e ka humbur prej vitesh, pas shumë peripecish të rënda që kanë kaluar veç e veç.
Për muzika të tilla e kam dashur Goran Bregoviçin.