Vendosni fjalën kyçe....

Aksion në tre qytete, sekuestrohen armë e drogë, shoqërohen 40 persona


Në Lezhë, Shkodër e Durrës. Këto janë tre qytetet ku RENEA ka kryer aksionin e saj. Të shoqëruar kanë mbetur 40 persona, ndërsa janë sekuestruar armë dhe drogë.

Policia gjatë këtij aksioni ka arrestuar edhe Astrit Seferin, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasje të katërfishtë në Tiranë.

“ Në Durrës, gjatë kontrollit në lagjen nr.14, Shkozet, është arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, si dhe u procedua penalisht për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Durrës. Arrestimi i shtetasit D. T. është bërë pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij “Range Rover”, para lokalit të shtetasit E. D., në kroskot është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Në vijim të kontrolleve, në lokalin në përdorim të shtetasit E. D., janë gjetur çipsa dhe letra bixhozi. 

Gjithashtu, po gjatë kontrolleve në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. H., 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh.

Në Mamurras, gjatë kontrolleve të befasishme është kapur dhe ndaluar nga RENEA, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasi A. S., 36 vjeç, autor i plagosjes së 4-fishtë në 2017, i shpallur në kërkim nga DVP Tiranë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal ‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 shtetas. “, jep detaje policia.