Vendosni fjalën kyçe....

Nis punën ambasadori i ri i Holandës në Shqipëri


Ambasadori i Holandës Reinout Vos i paraqiti sot letrat kredenciale presidentit Ilir Meta.

“Kreu i Shtetit i uroi Ambasadorit Vos suksese në misionin e tij në Shqipëri për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona.

Presidenti Meta vlerësoi rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri dhe nënvizoi nevojën e qëndrueshmërisë dhe vijueshmërisë më tej të bashkëpunimit ekonomik e tregtar me këtë vend të rëndësishëm dhe shfrytëzimin e potencialeve ekzistuese në interesin e përbashkët.”, njofton Presidenca.

Zyra e Shtypit dha detaje gjithashtu edhe për falenderimin që Meta i bëri Vosit,  “veçanërisht për qëndrimin e fundit inkurajues të Holandës dhe të Parlamentit të saj për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare të Bashkimit Europian me Shqipërinë dhe mbështetjen, që vendi i tij, i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian. “

Po kështu Meta u shpreh mirënjohës ndaj ambasadorit holandez lidhur me ndihmën e shpejtë me trupa dhe helikopterë që vendi i tij dha në përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga zjarret në Shqipëri.