Vendosni fjalën kyçe....

Rregullorja/ Si do akreditohen shkollat e arsimit profesional publike dhe private; Miratohen procedurat dhe kriteret


Të gjithë ofruesit publikë dhe jopublikë të Arsimit të Formimit Profesional (AFP) që ofrojnë programe, të cilat çojnë në kualifikime profesionale të niveleve 2–5 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK) duhet të plotësojnë standardet, kriteret dhe procedurat e akreditimit sipas rregullores së re e botuar në Fletoren Zyrtare.

Akreditimi mund të jetë i plotë për ofruesit që plotësojnë të gjitha kriteret, mund të jetë riakreditim që bëhet çdo 4 vite pas marrjes së akreditimit të plotë  dhe bazohet në vlerësimin e të gjithë kritereve, si dhe mund të jetë për ofruesit i rinj dhe me kusht kur nuk plotësohet vetëm 1 nga kriteret.

Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e një ofruesi të ri të AFP-së, për akreditimin e një ofruesi të AFP-së të akredituar për një kualifikim të ri profesional, si dhe në rastin e akreditimit me kusht është 3 muaj përpara afatit të planifikuar për nisjen e programeve përkatëse.

Rregullorja përcakton se në rastin e akreditimit me kusht, ofruesi dorëzon raportin dhe evidenca për masat e marra dhe rezultatet e arritura, për kriteret plotësuese, sipas rekomandimeve të vendimit dhe raportit për akreditimin me kusht.

Subjektet e interesuara fillimisht duhet të dorëzojnë kërkesën zyrtare për akreditim dhe të dhënat e kontaktit. Kërkesa për akreditim duhet të shoqërohet edhe me dokumentacionin, si: licenca, dokumentet e pronësisë, plani i sigurisë etj.

Për shqyrtimin e çdo kërkesë (5 ditë pas dorëzimit) caktohet një korditinator që 10 ditë nga marrja e detyrës shqyrton përmbushjen e kritereve. Raporti i hartuar nga koordinatori i dorëzohet për miratim AKAFPK-së. Në rast miratimi, akreditimi është i vlefshëm për 4 vjet.

Procesi i akreditimit

Procesi i akreditimit bazohet në hapat e mëposhtëm:

Hapi i parë: ofruesi i AFP-së dorëzon kërkesën zyrtare për vlerësim të jashtëm për akreditim, sipas formatit të shtojcës 2 bashkëlidhur kësaj rregulloreje, e cila nënshkruhet nga përfaqësuesi ligjor i ofruesit të AFP-së dhe përmban informacionin e mëposhtëm:

a) emrin e ofruesit të AFP-së;

b) qëllimin e kërkesës;

c) adresën dhe të dhënat e kontaktit të ofruesit të AFP-së, përfshirë faqen e internetit (nëse ka);

d) të dhënat e statusit ligjor dhe tatimor të ofruesit të AFP-së;

e) përfaqësuesin ligjor dhe personin përgjegjës (personin e kontaktit);

f) të gjitha drejtimet dhe programet ekzistuese (nëse ka), të akredituara ose jo, të cilat çojnë ose nuk çojnë në kualifikime sipas KSHK-së;

g) listën e dokumenteve shoqëruese.

– Hapi i dytë: Kërkesa për akreditim shoqërohet nga dokumentet e mëposhtme:

a) dokument i themelimit/licenca si ofrues jopublik i AFP-së;

b) përshkrim i shkurtër i institucionit: objekti i aktivitetit, rezultatet kryesore, kredencialet, përshkrim të përgjithshëm të personelit drejtues, mësimdhënës, mbështetës dhe të burimeve;

c) argumentim mbi domosdoshmërinë e ofrimit të kualifikimit/kualifikimeve profesional/e, për të cilin akreditohet;

d) organigramë e institucionit;

e) rregullore e brendshme e institucionit;

f) dokument pronësie për kohën e akreditimit;

g) vendim për ngritjen e ekipit të sigurimit të brendshëm të cilësisë;

h) plan për zbatimin e proceseve të sigurimit të cilësisë;

i) raport i vitit të fundit të vetëvlerësimit për pesë fushat e cilësisë, sipas formatit në shtojcën 3 të kësaj rregulloreje. Përjashtim bëjnë ofruesit e rinj të AFP-së;

j) në fazën e vizitës në terren, ofruesi duhet të ketë të dhëna të plota (për pesë fushat e cilësisë, sipas formatit në shtojcën 3 të kësaj rregulloreje), për periudhën nga raporti final i vetëvlerësimit, deri në datën e vizitës;

k) plan afatmesëm aktual i miratuar;

l) plan vjetor aktual i miratuar;

m) standardet e profesioneve, standardet e kualifikimeve, si dhe dokumentet kurrikulare për kualifikimet profesionale, për të cilat kërkon akreditim;

n) listë e personelit drejtues, mësimdhënës dhe mbështetës, për kualifikimet profesionale, për të cilat aplikon për akreditim, së bashku me kualifikimet dhe përvojën e tyre;

o) CV-të e personelit drejtues, mësimdhënës dhe mbështetës sipas formatit Europass;

p) kontratat e vlefshme të punës për periudhën, për të cilën do të akreditohet;

q) plani financiar për periudhën e akreditimit (katër vite);

r) listat e klasave, laboratorëve, mjediseve të praktikës profesionale, pajisjeve, teksteve shkollore, materialeve ndihmëse për mësimdhënien, etj., për kualifikimet profesionale për të cilat aplikon për akreditim;

s) marrëveshjet e bashkëpunimit, të nënshkruara me punëdhënësit apo sektorin e biznesit, për të nxënit me bazë punën, nëse ka;

t) autorizimet e shëndetit publik dhe certifikatat e sigurisë nga zjarri.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor