Kryeministri Rama u tha socialistëve mbrëmjen e sotme se PD vjen në parlament me një ‘dhëmballë’ të prishur duke nënkuptuar ish-kryeministrin Berisha.
Gjatë fjalës para tyre në Pallatin e Brigadave kreu i qeverisë tha se dora e bashkëpunimit pa kushte me PD-në është e hapur pavarësisht sjelljes së rivalëve.
Ai tha me jo pak ironi se PD do vijë në parlamentin e ri me një ‘dhëmballë të prishur’ duke nënkuptuar këtu ish-kryeministrin Berisha, të shpallur ‘non grata’ nga administrata Biden.
“Mandati i tretë s’duhet tu ngjajë dy të parëve, as në sallën e kuvendit, opozita mund të bëjë ç’të dojë, ne do bëjmë çfarë duhet. Të shtyjmë përpara reformat e ligjet që nevojiten në funksion të qytetarëve.Dora e bashkëpunimiet pa kushte me PD, pavarësisht nga sjellja, retorika apo veprimet e rivalëve. Medoemos të ndryshojmë në këtë drejtim, sado ata ti bien fyellit në vrimën që u është bërë gropa. Kanë rënë 5 herë me këmbët e tyre në atë gropë. PD do vijë në parlamentin e ri me një dhëmballë të prishur, të cilën as nuk ka kurajon ta shkulë as nuk ka vullnet ta qetësojë. Po kjo nuk është arsye për t’iu gëzuar shpërfytyrimit të PD-së për shkak të infektimit të krejt fytytrës së saj nga ajo dhëmballë.” – tha Rama.
Ai shtoi se PD-ja nuk ka mësuar nga humbja e pestë radhazi dhe sipas të gjitha gjasave do shkojë drejt humbjes së gjashtë e shtatë radhazi.
“Me sa kemi parë, nuk duket se PD ka nxjerrë ndonjë mësim nga humbja e pestë radhazi. I njëjti avaz duket se do të vazhdojë drejt humbjes së gjashtë e të shtatë radhazi. Akuzat dhe denoncimet ndaj kujtdo prej nesh nuk do të reshtin, por ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj çdo akuze publike, jo për të reaguar me të njëjtën monedhë, as për të rënë pre e vorbullës, por duhet të jemi të vëmendshëm për të verifikuar gjithçka që ata do të thonë. Në këtë pikë, nuk do të ketë asnjë kompromis, për askënd dhe për asnjë arsye, sepse çdo kompromis do të thotë që në duart tona të përgatisim disfatën e mandatit të tretë.” – tha kryeministri Rama.