Nga Enver Robelli
Heshtën kur qeveria i liroi të gjitha masat shtrënguese për parandalimin e pandemisë.
Heshtën kur qeveria lejoi dasmat.
Heshtën kur qeveria lejoi që Kosova gjatë verës të shndërrohet në një lloj Palma de Mallorca sikur nuk ekziston pandemia.
Heshtën kur dolën pamje nga Gjilani ku shiheshin qindra veta në një diskotekë.
Heshtën kur qeveria dëgjoi kryetarët e komunave të cilët thanë: hapeni vendin.
Me krenari postonin fotografi nga ahengjet ku s’mbahej asnjë distancë.
E tash? Tash luajnë rolin e hipokritëve – sikur po bëhen merak për numrin e viktimave. Këtu le ta kap veten për hunde edhe opozita për heshtjen e saj në dy-tre muajt e shkuar.
Qeveria duhet të marrë përgjegjësinë për një vendim të ngutshëm, të pamenduar, pa ekspertizë.
Por përgjegjësinë duhet ta marrin edhe ata që nuk respektuan asnjë masë dhe u bënë sikur virusi nuk ekziston.
Skepticizëm ndaj vaksinës ka kudo, fatkeqësisht. Edhe në Zvicër tek gjysma e popullsisë janë vaksinuar. Në një vend si Kosova ku gjysma e miletit fle në Facebook dhe i beson çdo lajmi të rrejshëm, qeveria është dashur të balancojë mes dëshirës për stimulim të ekonomisë me paratë e diasporës dhe rrezikut nga virusi. Ka qenë e pritshme që virusi e fiton betejën. E në këtë fitore nuk ka dhënë kontribut vetëm qeveria. Por të gjithë, me ndonjë përjashtim të vogël. Tash nga njëra anë janë 500 milionë të diasporës – dhe frika se do të ketë deri në 500 të vdekur në javët në vijim.
Qeveria e kaluar nuk siguroi asnjë vaksinë. Kjo qeveri nuk qe sa duhet aktive për të siguruar më shpejt vaksinat. Kur u siguruan vaksinat, filloi propaganda sikur pandemia u mposht. E pandemia s’mposhtet me fjalë. Por as me represion jo. A mund ta detyrosh dikë të marrë vaksinën AstraZeneca? Ndonëse vaksina është e sigurt, plot njerëz i besojnë propagandës.
Para një viti qeveria e kaluar licencoi 29 laboratorë privatë për të kryer testime. Kush i kontrolloi këta laboratorë nëse po kryejnë punën si duhet? Qeveria e re e vazhdoi avazin e të vjetrës. Tash nuk bën punë ankesa se ka pak inspektorë. Tek tani e keni vërejtur këtë? Pronarët e shumicës së laboratorëve mund t’i fërkojnë duart. Kanë shitur teste dhe kanë mbushur xhepat. Kështu është dëmtuar imazhi i atyre laboratorëve privatë që kanë kryer punën me profesionalizëm. Po qarkullojnë pamje ku shihen disa njerëz nga diaspora që kërcënojnë punëtorët e një laboratori për t’iu lëshuar teste me rezultat negativ. Nëse pamjet janë autentike, këta njerëz duhet të ndiqen nga drejtësia.