Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të përfundojnë evakuimin nga Afganistani, që pas hyrjes së talibanëve u larguan mbi 120 mijë persona


Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani.

Lajmi është konfirmuar nga Pentagoni. Fluturimi i fundit i forcave amerikane nga aeroporti i Kabulit të hënën në mbrëmje shënon fundin e luftës më të gjatë të SHBA-së, pas plot 20 vjetësh.

Gjenerali amerikan, Frank McKenzie, tha se SHBA evakuoi pothuajse 80,000 civilë nga Kabuli në javët e fundit. Kjo shifër përfshin edhe 6,000 civilë amerikanë.

“Çdo pjesëtar i shërbimit amerikan tani është jashtë Afganistanit”, tha gjenerali amerikan.

Evakuimi përfundimtar i forcave të SHBA-së, atyre të vendeve aleate dhe civilëve afganë ka qenë kaotik.

Javën e kaluar ndodhi një sulm vetëvrasës nga militantët e Shtetit Islamik Khorasan jashtë aeroportit të Kabulit që la të vrarë rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane.

Disa raketa u hodhën drejt aeroportit të Kabulit mëngjesin e së hënës.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve Reuters se pesë raketa u lëshuan në aeroport, por u penguan nga sistemi i mbrojtjes raketore.

Të dielën, ushtria amerikane tha se një sulm i saj me dron mbi një automjet në Kabul ka parandaluar një sulm të grupit militant Shteti Islamik Khorasan (ISIS-K), që kishte në shënjestër njerëzit e tubuar në aeroportin e kryeqytetit.

Mbi 120,000 njerëz deri tani janë evakuuar nga forcat e koalicionit që kur talibanët morën kontrollin e Kabulit më 15 gusht.

Mediat e huaja raportojnë se të shtëna janë dëgjuar në kryeqytetin afgan fill pas largimit të avionit të fundit të SHBA me trupat e fundit ushtarakë.