Gratë po fitojnë terren si depozituese në sektorin bankar.
Të dhënat e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar 43.5% e depozituesve në banka ishin gra.
Kjo shifër është në rritje për të dytin vit radhazi. Për vitin 2019, gratë përbënin 42.7% të depozituesve, ndërsa për vitin 2018, 41.9%.
Burrat vazhdojnë të dominojnë në strukturën e llogarive të depozitave bankare sipas gjinisë, me 56.5% të totalit. Megjithatë, pjesa e tyre është në rënie për të dytin vit radhazi, nga niveli 57.3% i vitit 2019 dhe 58.1% i vitit 2018.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 numri i llogarive depozituese të familjeve në sektorin bankar arriti në 3.74 milionë, në rritje me 7.5% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, numri i depozituesve në këtë segment arriti në 2.51 milionë, 3.3% më shumë krahasuar me vitin 2019. Numri i depozituesve përbën rreth 87% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Shqipërisë në fund të vitit 2020, por në këtë shifër përfshihen edhe shumë depozitues emigrant ose jo rezidentë në Shqipëri.
Shtimi i llogarive të depozitave gjatë vitit të kaluar përputhet edhe me rritjen e ndjeshme të vlerës së tyre. Pandemia nxiti prirjen për kursim mes shqiptarëve dhe në vlerë depozitat bankare vitin e kaluar u rritën me pothuajse 8%.
Një strukturë e ngjashme me depozitat vërehet edhe në llogaritë e kredive bankare, ku pjesa e burrave është lehtësisht më e lartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, 56.8% e llogarive të kredisë iu takojnë burrave, ndërsa 43.2% grave. Krahasuar me një vit më parë, pjesa e llogarive që mbahen nga burrat është rritur me 0.2 pikë përqindje, ndërsa pjesa e grave ka rënë në të njëjtën masë.
Në fund të vitit të kaluar, numri i llogarive të lidhura me kreditë bankare në segmentin e individëve arriti në mbi 394 mijë, me një rritje prej 5.7% krahasuar me një vit më parë. Rritje më të lartë shënoi numri i huamarrësve, me 339 mijë gjithsej, 8.6% më shumë krahasuar me vitin 2019. Numri i huamarrësve është afërsisht sa 12% e numrit të përgjithshëm të popullsisë së Shqipërisë në fund të vitit.
Mbështetur në të dhënat e bazuara në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), portofoli neto i kredisë së sektorit bankar në fund të vitit 2020 arriti vlerën e 579 miliardë lekëve ose rreth 4.7 miliardë eurove. Teprica e kredisë u rrit me rreth 5% krahasuar me një vit më parë.
Kjo është rritja më e lartë e portofolit të kredisë bankare që prej vitit 2014. Rritja po vijon me ritme të larta edhe këtë vit dhe kontributin kryesor po e jep pikërisht segmenti i ekonomive familjare, ku portofoli i kredisë në mesin e këtij viti rezulton në rritje vjetore me mbi 13%./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor