Vendosni fjalën kyçe....

Rinis prishja e ndërtimeve pa leje, Çuçi: Askush të mos e çojë më në mend të zaptojë toka e të ndërtojë pa leje


Ka rinisur aksioni ‘Bregdeti ynë’ për prishjen e ndërtimeve pa leje në bregdetin e vendit.

Kësaj here do prishen dy objekte në Dhërmi. Ministri i Brendshëm Çuçi ka thënë në rrjetet sociale se ndërprerja e përkohshme e këtij operacioni është bërë për shkak të sezonit turistik.

Po kështu ai thekson se askush nuk mund të mendojë më se mund të zaptojë toka e të ndërtojë pa leje.

“Rifillojmë sot operacionin “Bregdeti Ynë” për shembjen e objekteve pa leje apo në tejkalim flagrant të lejes së ndërtimit. Ndërprerja ishte e përkohshme për të mos penguar sezonin turistik. Si fillim do të shemben dy objekte në Dhërmi për të vijuar më pas në të gjithë vijën bregdetare dhe në çdo zonë tjetër të Shqipërisë ku është ndërtuar pa leje. E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris, ky nuk është thjesht dhe vetëm një aksion, por një punë e vazhdueshme e IKMT-së dhe Policisë së Shtetit për kontrollin e çdo metër katror të territorit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush”, shkruan Çuçi.

Operacioni ‘Bregdeti ynë’ ka nisur në muajin qershor e deri tani janë prishur më shumë se 130 ndërtime pa leje, më së shumti në Shëngjin e Velipojë.