Për herë të parë në historinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit ,kreu i këtij institucioni, i shpall “luftë” abuzuesve të mundshëm brenda tij. Në një komunikatë zyrtare të publikuar në faqen e internetit ,është vendosur në dispozicion për të gjithë subjektet që janë objekt kontrolli dhe hasin shkelje nga ana e punonjësve ,mund të denoncojnë si në adresën e emailit po ashtu edhe në numrin e telefonit të vendosur në dispozicion.
Me këtë lëvizje, duket se punonjësit apo drejtuesit e institucioneve mund të denoncojnë padrejtësi që mund ti bëhen .
Njoftimi i plotë.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu bën apel për qytetarët dhe institucionet të denoncojnë të gjitha rastet që konstatohen shkelje nga punonjës të institucionit të KLSH.
Institucionet që janë objekt i kontrollit nga KLSH, apo qytetarë që kanë konstatuar abuzime nga punonjës të KLSH janë të lutur t’i adresojnë pranë institucionit përmes postës elektronike në adresën e email-it kontakt@klsh.org.al ose me sms në numrin e telefonit +355 676128162, për të bërë të mundur vendosjen përpara organeve ligjzbatuese të çdo individi që abuzon me detyrën.
KLSH garanton ruajtjen e anonimatit dhe ndjekjen e çështjes deri në fund duke bashkëpunuar me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit për rastet e dyshuara si shkelje të ligjit penal nga punonjës të KLSH.
Gjithashtu KLSH do të bëjë përgjegjës para ligjit çdo punonjës të institucionit që nuk kallëzon aktet e korrupsionit aktiv të kryera nga punonjës të subjekteve në auditim.