Vendosni fjalën kyçe....

“Alba Exotic Fruit” – 4 aksionet ku policia kapi drogë në ngarkesat e kompanisë


Të paktën 4 herë është kapur drogë në ngarkesat e kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Mbi 10 kilogramë kokainë u kapën në 13 korrik të këtij viti, 6.5 kilogramë ditë më pas, ndërsa sot është kapur një sasi e përafërt me 7.7 kilogramë. Sasia u zbulua në kontenierin me banane në Portin e Durrësit.

“Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, ku nga Task Forca permanente e përbashkët e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, strukturat hetimore të DVP Durrës dhe autoritet doganore të Portit, u sekuestrua një sasi lëndë narkotike, ju informojmë se pas peshimit të pakove, rezultoi se pesha totale është 7 kilogramë e 700 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.”, njoftonte sot policia.

Bananet në kontenierin ku u gjet droga i përkasin kësaj kompanie, ndërsa kokaina ishte fshehur te kapakët e motorëve frigoriferikë. Bananet kishin ardhur nga Ekuadori dhe kishin dy ditë në port. Pas gjetjes së sasisë së kokainës është shoqëruar në polici përfaqësuesi i kompanisë, ndërsa është shpallur në kërkim Eduart Dauti.

Aksionerët e “Alba Exotic Fruit” janë Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni ndërsa si administratorë shërben vetë aksioneri Dauti dhe Ermal Arapi.

Në vitin 2019 po në një kontenier me banane ka qenë policia greke që ka kapur në Portin e Pireut një ngarkesë prej 137 kilogramë kokaine që si destinacion kishte Portin e Durrësit.