Deputeti i opozitës Dashamir Shehi në një intervistë për “A Shoë” në Syri TV ka folur për çështjen e hyrjes e Sali Berishës në parlament pas shpalljes non grata apo jo.
Shehi tha se Berishën politikisht e gjykon koha dhe gjyqin politik e bëjnë zgjedhjet.
Më tej ai theksoi se duke diskutuar mbi këtë çështja opozita i bën qejfin Ramës.
“Nëse ka elemente korrupsioni, le të merren ata që merren me korrupsionin. Sepse gjithkush do të mbajë hallin e vet.
Përsa i përket temës politike, Berishën politikisht e gjykon koha. Duhet gjykuar me gjakftohtësi. Gjykimin politik e bëjnë zgjedhjet. Kjo është mënyra për ta diskutuar këtë çështje.
I kemi bërë qejfin Edi Ramës me këtë zhurmë, pasi peshon mbi opozitën. Edhe Berishës i është bërë një elozh i madh sepse u rikthye dhe u bë qendra e politikës.
Unë them që ta gjykojmë me gjakftohtësi dhe ta rikthejmë në normalitet. Le të vijë në parlament Berisha, pasi ka të drejtën e vet.
Berishën nuk po e akuzojnë se ka drejtuar keq politikën shqiptare. Por politikisht të gjykon koha. Prandaj po ngremë një zhurmë të kotë dhe po bëjmë lojën e Edi Ramës,”-deklaroi Shehi.