Vendosni fjalën kyçe....

Kapen në Morinë 8.8 kilogramë kokainë


Një sasi prej rreth 9 kilogramësh kokainë është kapur mbrëmjen e djeshme në pikën kufitare të Morinës, në territorin e Kosovës.

Në pranga kanë përfunduar dy të rinj nga Shqipëria, që po provonin ta fusnin lëndën narkotike në Kosovë. Ata e kishin fshehur sasinë prej 8.8 kilogramësh kokainë poshtë ndenjëses së pasme të mjetit ‘Peugeot’ me të cilin udhëtonin, shkruan Shqiptarja.

Pas dyshimeve, mjeti është dërguar në vijën e dytë të kontrollit e pas kontrollit u gjet sasia e kokainës që ishte paketuar në 9 pako të mbështjella me qese ku shkruhej ‘Dior’.

I njëjti paketim është përdorur edhe në sasinë prej 324 kilogramë kokainë e kapur në portin e Durrësi, ku disa prej pakove ishin të mbështjella me ‘Dior’.

“Bashkëpunimi në mes të Doganës dhe policisë së Kosovës si dhe asistenca e ofruar nga autoritetet e Shqipërisë, ka rezultuar me zbulimin dhe parandalimin e këtij rasti.  Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet relevante policore si dhe prokurori i rastit, me vendim të të cilit personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.