Vendosni fjalën kyçe....

Ndërtonin pa leje në zonën e mbrojtur në Sarandë, arrestohen katër punonjësit, shpallet në kërkim kontraktuesi


Katër persona janë arrestuar nga policia, pasi akuzohen se po ndërtonin pa leje në zonën e mbrojtur të quajtur “Kurora e qytetit” në Sarandë.

Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Dhënie ndihmë për ndërtim të paligjshëm” i shtetasve: Shenasi Ahmetaj, 47 vjeç, banues në Sarandë, Flamur Baraj, 46 vjeç, banues në Mallakastër, Elton Pashka, 37 vjeç, banues në Delvinë dhe Astrit Rrupulli, 51 vjeç, banues në Librazhd.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas (punëtorë) janë kontraktuar nga shtetasi Aleksander Rica, dhe po kryenin punime për ndërtimin e një objekti (vilë), në vendin e quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë, e cila është zonë e mbrojtur.

Në vijim të veprimeve u bë dhe shpallja në kërkim policor për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, e shtetasit Aleksandër Rica, 49 vjeç, banues në Sarandë.

Vijon puna për kapjen e tij dhe vënien para përgjegjësisë ligjore. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënie ndihmë për ndërtim të paligjshëm”. Rica është pronar i një club-i të njohur në Sarandë, është dënuar në 2016 për “punësim i paligjshëm” me 400.000 lekë gjobë, ndërsa në 2017-ën për “fshehje të të ardhurave” me 2 muaj burg.