Vendosni fjalën kyçe....

Papa Françesku viziton Budapestin, Orban: I kërkova të mos lejojë që të vdesë Hungaria e krishterë


Papa Françesku është takuar në Budapest me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, gjatë një vizite të shkurtër në këtë shtet, që nënvizon dallimet me liderin nacionalist dhe anti-migrant të Hungarisë.

Francis, 84 vjeç, pritet që më 12 shtator të qëndrojë vetëm shtatë orë në Budapest për të marrë pjesë në një mbledhje ndërkombëtare të katolikëve, përpara se të udhëtojë drejt Sllovakisë.

Kjo është vizita e parë e një pape bërë Hungarisë që prej se Papa Xhon Pali II vizitoi këtë shtet më 1996.

Orban u takua me Papa Françeskun në Muzeun e Arteve dhe më pas ata patën një takim prapa dyerve të mbyllura, ku mori pjesë edhe presidenti i Hungarisë dhe zyrtarët e Vatikanit.

“I kam kërkuar Papa Françeskut që të mos lejojë që të vdes Hungaria e krishterë”, shkroi Orban në Facebook.

Vatikani tha se takimi është mbajtur në një atmosferë “të përzemërt” dhe zgjati 40 minuta, më shumë se sa ishte paraparë.

“Në mesin e shumë tema është diskutuar edhe për rolin e kishës në shtet, për zotimet për të mbrojtur mjedisin, për të mbrojtur dhe promovuar familjen”, tha Vatikani përmes një deklarate.

Papa dhe Orbani nuk kanë qëndrime të njëjta në një varg çështjes, në mesin e tyre edhe migrimi. Qëndrimi i shkurtër i Papa Françeskut në Budapest mund të jetë tregues se ai nuk dëshironte që Qeveria e Orbanit të përfitonte politikisht nga një vizitë më e gjatë e një pape, para se ky shtet të mbajë zgjedhjet e reja të përgjithshme në pranverën e vitit të ardhshëm.

Orban shpesh e ka përshkruar qeverinë e tij si mbrojtëse të civilizimit të krishterë në Evropë dhe ka shprehur qëndrimin e tij kundër migrimit nga vendet me shumicë myslimane.