Vendosni fjalën kyçe....

Turistët e huaj sollën 167 milionë euro më pak në 6 mujorin e parë, me parakrizën; Shqiptarët kursyen rreth 300 mln euro


Ndonëse turizmi u gjallërua në gjysmën e parë të këtij viti, sërish ai mbetet nën nivelet e parakrizës.

Sipas statistikave të bilancit të pagesave të publikuar nga Banka e Shqipërisë, që mat bilancin e udhëtimeve (shpenzimet që bëjnë të huajt në Shqipëri dhe ato që bëjnë shqiptarët jashtë), shpenzimet e të huajve në Shqipëri arritën në 687 milionë euro në 6 mujorin e parë të vitit, me një rënie prej 20%, ose 167 milionë euro më pak, në krahasim me janar-qershor 2019, që deri tani mban rekordin si viti më i mirë deri tani për turizmin.

INSTAT raportoi se për të njëjtën periudhë në vend hynë rreth 1.7 milionë shtetas të huaj, me një tkurrje prej 21% në krahasim me janar-qershor 2019. Pesha e turistëve nga Kosova u rrit në rreth 50%, nga mbi 30% që ishte në periudhën kur lëvizja ishte normale, duke amortizuar disi mosardhjen e turistëve nga shtetet e Europës Perëndimore e Lindore.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjithsesi hendeku me parakrizën ka filluar të ngushtohet që në tremujorin e dytë të vitit, teksa tkurrja ishte 11.6% në raport me periudhën përkatëse, nga 31% në tremujorin e parë.

Vera ka sjellë një panoramë tjetër për turizmin në vend, duke e tejkaluar nivelin e 2019-s. Të dhënat e fundit nga Tirana International Airport (TIA), nga vijnë një pjesë e konsiderueshme e turistëve nga Europa (përveç rajonit) bënë të ditur se për periudhën korrik-gusht 2021 kanë udhëtuar gjithsej (hyrje-dalje) rreth 983 mijë pasagjerë, me një rritje prej 21.3% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s, që deri tani kishte qenë viti më i mirë i turizmit. Ndërsa në raport me korrik-gusht 2020, kur vendi po vuante pasojat e krizës, zgjerimi është 76%.

Vetëm në korrik, trafiku i pasagjerëve ishte 9.6% më i lartë se në të njëjtin muaj 2019 (+70% me 2020-n), ndërsa në gusht rritja ishte më e fortë në gati 32% (+82% me të njëjtin muaj të 2020-s).

Lexo edhe këtë: Trafiku i pasagjerëve në Rinas u rrit me 32% në gusht, nga 2019-a; kryesojnë Londra e Milano, preferencë edhe Dubai

Shqiptarët “kursyen” 300 milionë euro nga mbyllja e rrugëve

Vetëm në muajt e verës së këtij viti, shtetet e Bashkimit Europian filluan të hiqnin gradualisht kufizimet e udhëtimit për shtetasit shqiptarë. Ndërsa në 6 mujorin e parë, daljet e shtetasve shqiptarë ishin rreth 36% më të ulëta se e njëjta periudhë e 2019-s.

Si rrjedhojë edhe shpenzimet e shqiptarëve jashtë kanë shënuar një tkurrje të ndjeshme. Ato ishin rreth 400 milionë euro për periudhën janar- qershor 2021, me një tkurrje prej 43% në krahasim me 6 mujorin 2019, ose rreth 300 milionë euro më pak.

Si rrjedhojë e hyrjeve më të larta të të huajve, në raport me daljet e shqiptarëve, bilanci neto i udhëtimeve, që nënkupton valutën që mbetet në Shqipëri, u përmirësua ndjeshëm në gati 290 milionë euro, që është rezultati më i mirë historik që kur raportohen të dhënat në 2008-n.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor