Vendosni fjalën kyçe....

Kurti pro hapjes së arkivave të UÇK-së: S’kemi ç’ka fshehim, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkrahur idenë e hapjes së arkivave të UÇK-së.

Ai ka theksuar se me hapjen e arkivave, do të ndihmohet procesi i gjetjes së personave të zhdukur. Kurti këmbëngul se duhet të hapen edhe arkivat në Beograd sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo neve na duhet ta zbardhim fatin e të të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serb, por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, tha ai, shkruan Ekonomia Online.

Kreu i qeverisë shtoi se Kosova nuk ka se çfarë të fshehë duke qenë se që prej fundit të luftës ka qenë nën administrim t ndërkombëtar.

“Kosova siç e dini që nga viti 1999 e këndej, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, pra vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, e ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër luftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e Kosovë, duhet të zbardhet e vërteta, që të dihen urdhërdhënësit”, tha Kurti.