Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, ka shtuar edhe 10 destinacione të tjera në listën e vendeve ku nuk është e këshillueshme të udhëtohet, në sajë të rrezikut të lartë ndaj Covid-19.
Agjencia shëndetësore caktoi Afganistanin, Shqipërinë, Belizën, Grenadën, Izraelin, Lituaninë, Mauritius, Serbinë, Slloveninë dhe Saint Kitts dhe Nevis si “Niveli 4: rrezik shumë i lartë”, duke u bërë thirrje amerikanëve që të mos udhëtojnë në këto destinacione nëse nuk janë vaksinuar plotësisht.
Kriteret e CDC-së i përcaktojnë vendet e “Nivelit 4” si ato që raportojnë më shumë se 500 raste për 100,000 banorë, në 28 ditët e fundit.
Agjencia paralajmëron se amerikanët që duhet të udhëtojnë në këto destinacione duhet të jenë plotësisht të vaksinuar, por vuri në dukje se “edhe udhëtarët e vaksinuar plotësisht, mund të jenë në rrezik për t’u infektuar dhe për të përhapur variantet e COVID-19”.
Gjithashtu, CDC përcaktoi Australinë, Brazilin, Etiopinë dhe Rumaninë si “Niveli 3: rrezik i lartë”.
Brazili u ul nga niveli 4 në nivelin e tretë, ndërsa disa destinacione të tjera kaluan në nivelin 2 “të moderuar”.
Amerikanët e pavaksinuar inkurajohen që të shmangin në veçanti udhëtimet në destinacionet e përcaktuara si Niveli 3.
Në përgjithësi, CDC këshillon që amerikanët të shmangin të gjitha udhëtimet ndërkombëtare derisa të jenë vaksinuar plotësisht.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor