Nënkryetarja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka komentuar përjashtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar.
“Vendim i vështirë i Bashës për mos krijuar probleme. Ky vendim ishte i detyruar, i imponuar, ishte për të ardhmen e PD dhe ajo që është më e rëndësishmja, për të mos cënuar marrëdhënien e PD-së me aleatin tonë me SHBA-në. Interesi i vetëm, forcimi i partisë”, ka theksuar Tabaku.
Tabaku tha në “News24” se marrja e këtij vendimi s’ishte i lehtë dhe se ishin të detyruar për vijimësinë e Partisë Demokratike dhe marrëdhënieve të saj me SHBA-të.
“Nuk kishte një mënyrë të lehtë për ta marrë këtë vendim. Këtë e them me të gjithë emocionet që ka ngjallur, sepse bëhet fjalë për Sali Berishën, individin që ka patur ndikimin më të madh në politikën shqiptare dhe në çështjen kombëtare, me arritjet më të mëdha, jo që i njeh PD-ja, por që i njohin të gjithë shqiptarët, të cilët i përjetojnë çdo ditë. Përveç infrastrukturës, arsimit, rritjes së pagave, dua të përmend liberalizimin e vizave, NATO-n. Vendimi i z. Basha megjithëse i vështirë nuk i heq asgjë trashëgimisë që z.Berisha kishte dhe ka në PD, ndikimit që ai kishte dhe ka në politikën shqiptare. Nuk i heq asgjë respektit që kemi për të dhe shumë shqiptarë që kanë për të.”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj nuk kishte mënyrë të lehtë se si të merrej një vendim i tillë i vështirë.
“Një vendim që në fakt ka qenë i imponuar, një fakt i kryer, një vendim i cili nuk ishte marrë as nga z.Basha dhe as nga PD-ja. Ishte një vendim, i cili erdhi nga një aleat, një partner, një vendim i cili ka qenë… kushdo që e kujton edhe karrierën e z.Basha, por edhe vendimet e tij në PD, besoj ka memorie të dijë se z.Basha nuk ka marrë asnjëherë një vendim kundër Sali Berishës. Ky vendim ishte një fakt i kryer. Ky vendim ishte i detyruar, i imponuar, ishte për të ardhmen e PD dhe ajo që është më e rëndësishmja, për të mos cënuar marrëdhënien e PD-së me aleatin tonë me SHBA-në dhe ç’ishte më e rëndësishme, për të qenë edhe në krah të z.Berisha në procesin që ai po ndjek për të kthyer dinjitetin e tij.”, theksoi më tej nënkryetarja demokrate Tabaku.
E pyetur lidhur me takimin e e 30 qershorit mes Bashës, ambasadores amerikane Kim dhe të dërguarit amerikan Reeker, Tabaku tha vetëm që është një vendim i padrejtë.
“Nuk jam e autorizuar të flas dhe nuk kam folur asnjëherë për takime dhe çfarë ndodh në diskutime me diplomatët. Ambasada amerikane ka nxjerrë një njoftim për atë takim dhe unë i qëndroj njoftimeve që ka nxjerrë ambasada amerikane për atë takim. Komenti im i vetëm është që ky vendim i padrejtë për z. Berisha nga ana e SHBA-së besoj që do të ketë mbështetjen e PD-së për ta ndjekur në çdo rrugë ligjore dhe përtej rrugës ligjore, për të mos e cënuar dinjitetin e z. Berisha.”, tha Tabaku.
Sipas Tabakut, Basha mori një vendim për të mos krijuar konflikte.
“Z. Basha mori një vendim të tillë për të mos krijuar konflikte të deputetëve me militantët, për të mbajtur ai përgjegjësinë dhe peshën e këtij vendimi. Për aq sa e njoh unë z. Berisha ai gjithmonë ka pasur në çdo vendim dhe veprim të tij interes primar çështjen e shqiptarëve, të Kombit shqiptar dhe se si të përmirësohet puna në PD. Jam e sigurt që çdo inisiativë që ai do të marrë dhe pavarësisht mendimeve të kundërta që mund të ndajmë, do të jetë në këtë kuadër, për të forcuar PD, për ta çuar atë në fitore. E keqja e Shqipërisë sot është Edi Rama. Me z. Berisha na bashkon lufta kundër Edi Ramës, asgjë tjetër, asgjë nuk na ndal në këtë drejtim.” Theksoi më tej Tabaku, e cila shtoi se nisma e Berishës për mbrojtjen e statutit të PD-së vetëm sa e bën më të fortë Partinë Demokratike.