Katër persona janë arrestuar nga policia e Durrësit. Një 21-vjeçar është ndaluar pasi ishte shpallur në kërkim. I riu me iniciale B.Sh., banues në fshatin Arrameras të Krujës akuzohet se ka plagosur me thikë tre persona me iniciale B.V., D.V. e M.V.
Një 35-vjeçar me iniciale B.S., banues në Durrës u ndalua pasi në lokalin e tij u kap duke organizuar baste sportive.
Dy persona, një 28-vjeçar me iniciale B.B. e një 29-vjeçar me iniciale V.T. janë arrestuar nga Policia Rrugore pasi janë kapur duke drejtuar motorin e automjetin përkatësisht në gjendje të dehur.
Njoftimi
“Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vihen në prangat e Policisë 4 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim, si dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, ndaluan për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasin e shpallur në kërkim B. Sh., 21 vjeç, banues në fshatin Arrameras, Krujë. Ky shtetas, më datë 27.08.2021, ka plagosur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë) shtetasit B. V., D. V. dhe M. V. Gjithashtu, ky shtetas, më datë 10.09.2021 dyshohet se ka kanosur shtetasen R. Sh., për t’i marrë një sasi vlere monetare.”
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan shtetasin B. S., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë kontrollit të kryer nga shërbimet e Policisë, në lokalin në pronësi të tij, u konstatua duke ushtruar aktivitetin e lotarive të basteve sportive.
Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, proceduan penalisht për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin L. Q., 25 vjeç, pasi më datë 17.09.2021, rreth orës 00:30, në lagjen nr.11, Durrës, ka kundërshtuar me forcë shërbimet e Policisë dhe nuk iu është bindur të tyre, gjatë patrullimit në sektor, për konstatimin e personave që nuk zbatojnë orarin e vendosur për mbyllje nga organet kompetente. Për këtë shtetas dhe për shtetasin E. Gj., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative, në zbatim të Aktit Normativ.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
B.B.28 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua në lagjen nr.13, Durrës, duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur;
V.T., 29 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin tip “Ford”, në gjendje te dehur.
Materialet i kaluan Prokurorinë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.”