Mediet italiane kanë filmuar sot biznesmenin Davide Pecorelli, personi që inskenoi zhdukjen e tij 8 muaj më parë, kur makina e tij u gjet e shkrumbuar në Pukë.
Një ditë pasi u gjet i gjallë, Pecorelli shihet i rrethuar nga gazetarët që i afrohen për t’i bërë pyetje. Ai mban në kokë një kapuç, syze dhe maskë anti-covid në mënyrë që të mos njihej.
“Më duhet të kthehem tek fëmijët e mi, faleminderit!” – thotë biznesmeni italian para kamerave.
Duket se gabimi që Pecorelli kishte bërë dhe që çoi në zbulimin e tij ishte aktivizimi i kartës së bankës mbrëmjen e së Dielës së kaluar në Romë.
Mediet italiane shkruajnë se ishte shoqëruesi shqiptar i Pecorellit (i ndihmuar nga avokati Giancarlo Viti), i cili raportoi alarmin e bankës tek hetuesit. Për hetuesit në Perugia, aktivizimi i kartës ishte provë se biznesmeni mund të ishte gjallë dhe tashmë ishte kthyer në Itali.
Kliko këtu për videon e plotë.
Më pas gjurmët e Pecorellit humbën përsëri.
Biznesmeni sipas gazetës italiane kishte dokumente të rreme. Ato i tregoi në hotelin Giglio të Mërkurën në mbrëmje, ku kërkonte të merrte me qira një gomone.
Policia pyjore e ishullit kreu një kontroll në dhomën e hotelit, sekuestroi dokumentin e falsifikuar dhe objekte të tjera. Se si Pecorelli arriti në Itali nga Shqipëria është ende një mister.
Gomonia e Pecorellit u gjet në vështirësi të Premten pasdite në brigjet e Giglio-s. Varka e patrullës e shpëtoi atë. Ai dukej si një njeri i braktisur: me flokë shumë të hollë, të pakrehur, të gjatë. Ai i tha ushtrisë se ai ishte Davide Pecorelli dhe se ai donte të fliste me prokurorin e Perugia-s, i cili kishte hetuar zhdukjen e tij që nga janari.
Dje në mëngjes ushtria e shoqëroi biznesmenin në Piombino dhe e identifikoi atë. Të hënën pasdite është caktuar një seancë ku Pecorelli do të dalë para zëvendës prokurorit Giuseppe Petrazzini dhe do të tregojë më shumë lidhur me inskenimin e vdekjes së tij.