Vendosni fjalën kyçe....

Mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve: S’ka ndryshim masash


Komiteti Teknik i Ekspertëve ka dalë sot në një konferencë për shtyp, për të informuar mbi situatën aktuale të përhapjes së virusit dhe masat për t’u mbrojtur nga ai.

Gjatë konferencës, zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli bëri me dije se nuk do të ketë ndryshim masash për 2 javët në vazhdim.

Kjo do të thotë se ora policore do të vijojë të nisë nga ora 23:00 deri në orën 06:00. Po ashtu nuk do të lejohet grumbullimi i qytetarëve më shumë se 50 vetë.

Nga prezantimet që u pa, situata mbetet relativisht e qëndrueshme. Komiteti mendon që të mos ketë ndryshim të masave.

Edhe për 2 javë ora policore do të mbetet ajo që kemi rekomanduar. Do të ketë përdorim të masave aty ku kemi rekomanduar, në qendrat tregtare etj. S’do të ketë grumbullimi i njerëzve më shumë se 50 veta, por në aktivitetet sportive do të realizohen në kapacitete jo më shumë se 30% të këtyre ambienteve. Do të vazhdojë njësoj rregulli i hyrjes së qytetarëve të huaj dhe shqiptarë, do të kërkohet prova e vaksinimit.”– tha Rakacolli.

Shefja e ISHP-së nga ana tjetër, Silva Bino, tregoi se si po vijon fushata e vaksinimit në vendin tonë.

Ajo tha se mbulesën vaksinale më të lartë e kanë Bashkitë e Gjirokastrës dhe Delvinës, ndërsa bashkia e Durrësit, ka dalë nga zona e kuqe.

“Gjatë kësaj jave ka pasur një rritje të vaksinimit lidhur me dozat e dyta. Ka pasur edhe një përmirësim në mbulesën vaksinale në bashki të ndryshme, dua të përmend këtu Durrësin që ka dalë nga zona e kuqe. Sa i përket bashkisë që ka mbulesën vaksinale më të mirë, është bashkia e Gjirokastrës, e pasuar nga Delvina. Në veri kemi 2 bashki me mbulesë vaksinale mjaft të mirë, është bashkia e Mirditës dhe Pukës. Hap pas hapi tregojmë që kalojmë në ngjyra të ndryshme që tregon dhe rritjen vaksinale.

 Nga ana tjetër, ajo që vihet re është që arsimtarët e shkollave të mesme kanë mbulesë më të mirë vaksinale se edukatorët dhe pedagogët. Ata me 2 doza shkojnë në 66% në krahasim me pjesën tjetër që është më i ulët. Përdorimi i vaksinës, është një indikator i performancës së kryerjes së vaksinimit është mbi 80% në të gjitha vaksinat. Çdo vaksinë është përdorur konform të gjitha rregullave. Pra, ne nuk kemi humbje të vaksinës, vazhdojmë të punojmë me humbje zero të vaksinës. Kjo është një indikator që ne si vend jemi vlerësuar nga OBSH në lidhje me këtë aspakët. Sa i përket punonjësve shëndetësorë kemi mbulesë vaksinale të lartë, por kemi akoma nevojë për rritje të vaksinimit për të gjitha grupmoshat.”- u shpreh Bino.