Pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për të lënë në fuqi vendimin e dënimit me dy vite burg për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, ka dalë në një deklaratë për mediet, avokati mbrojtës i tij, Sokol Hazizaj.
Ai e konsideroi këtë një vendim të padrejtë dhe paralajmëroi se do ta apelojë atë deri në Gjykatën e Lartë vendimin.
Gazetarët që e kishin rrethuar Hazizajn insistuan shumë me pyetje lidhur me shëndetin dhe vendodhjen e ish-kryeprokurorit, por avokati nuk pranoi të jepte informacione.
“Jemi pa hetim dhe jemi me gjykim të padrejtë. Kaq.
Nga informacioni që kam unë, ajo që thashë herën e parë. Di që është në regjim spitalor, kaq di. Përgjigjem vetëm për vështrimin procedurial, material dhe penal.
E thashë edhe njëherë, Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë ‘copy paste’ të gjitha veprimet procedurale, pa konsideruar asgjë nga mbrojtja. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë.
Nuk e di ku ndodhet Llalla, mund të jetë dhe në Shqipëri. Nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale.”- tha avokati.
Gjykata la në fuqi vendimin e shkallës së parë, e cila e dënoi atë me 2 vite. Gjykata po ashtu vendosi t’i konfiskohen pasuritë dhe që Llalla të mos ushtrojë asnjë funksion publik për 5 vite.