Duke nisur nga 27 shtator, qytetarët në Kosovë nuk do të mund të hynë në lokale nëse nuk do të kenë një certifikatë të vaksinimit apo test negativ.
Këtë paralajmërim e ka bërë sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë raportimit të tij në Komisionin për Shëndetësinë.
“Sa i përket gastronomisë ndër sektorët më të goditur nga pandemia jemi në kontakt edhe tani dhe me miratimin e tyre jemi dike hartuar masat që edhe në gastronomi të aplikohet nga 27 shtatori masa kufizuese e personave që hyjnë brenda këtyre lokaleve vetëm me certifikata të vaksinimit, test PCR apo serologjik me shifrat dhe numrat e vaksinimit. Një masë e tillë nuk është besoj më penguese as për sektorin e gastronomisë.”- ka deklaruar Vitia.
Me masat aktuale, bizneset do të lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30. Ndërsa muzika do të lejohet vetëm deri në orën 21:00.
Vitia vlerëson se falë masave që ka ndërmarrë Qeveria, është ulur numri i rasteve me COVID-19 në vend dhe aktualisht në Kosovë janë mbi 7.000 raste aktive me virusin.