Shtetet e Bashkuara do të japin donacion 500 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, të prodhuara nga kompania Pfizer, për vendet në zhvillim, nga viti i ardhshëm.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka bërë këtë zotim në një samit virtual për COVID-19 në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke premtuar “arsenal vaksinash”.
Me këto doza, dhe ato që janë ndarë në të kaluarën, i bie se Shtetet e Bashkuara do të ndajnë në total mbi 1 miliard doza vaksinash kundër COVID-19.
Ekspertët thonë se rreth 11 miliardë doza janë të nevojshme për të vaksinuar të paktën 70 për qind të popullsisë globale.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur një shënjestër minimale që parasheh 40 për qind të popullsisë së vaksinuar në secilin shtet deri në fund të vitit 2021, mirëpo ky synim ka pak mundësi që të përmbushet.