Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Kemi rënë dakord me opozitën, Komisionet e Përhershme Parlamentare nga 8 mund të bëhen 12


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në një deklaratë për mediet jashtë Kuvendit, është shprehur se maxhoranca ka rënë dakord me opozitën për rritjen e numrit të Komisioneve të Përhershme Parlamentare.

Kështu nga 8 komisione të përhershme që janë aktualisht ky numër do të shkojë në 12. Deputeti Balla u shpreh se ky vendim, do ta bënte më efektive punën e anëtarëve të komisioneve.

“Ne sot kemi rënë dakord në Konferencë të Kryetarëve me Z.Rrushaj të fillojmë punën për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit.

Propozimi im është që 8 komisione janë shumë pak për të kryer një punë shumë efektive të Kuvendit në Komisione, mund të shkojmë në 12 komisione të përhershme parlamentare, do bënte më efektive punën e anëtarëve të komisioneve. Ky është propozim.

Marrim shembull, Komisioni për veprimtarinë Prodhuese ka fushë veprimi shumë të madhe dhe mund të ndahej. Kam marrë dakordësinë edhe të opozitës dhe mendoj që Kuvendi ka hyrë në atë normalitetin e vet dhe opozitës dua t’i them që edhe mënyra e zhvillimit të mbledhjes së komisioneve është një diskutim që do e zhvillojmë në vijim.”- deklaroi Taulant Balla.